Prishtinë, 18 qershor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, paralajmëruan se në Kosovë do të nisë pa vonesë procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë dhe formimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kurti e Haxhiu, në konferencën e përbashkët për medie, të shtunën, thanë se Komisioni i Venecias u ka dhënë dritë jeshile koncept-dokumentit për procesin e vettingut dhe projektligjit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Sot fillojmë me jetësimin e punës njëvjeçare të Ministrisë së Drejtësisë në realizimin e këtyre proceseve jetike për Kosovën, me përkrahjen e Komisionit të Venecias”, tha Kurti.
“Vettingu është i domosdoshëm, porsi edhe konfiskimi i pasurisë i fituar në mënyrë të paligjshme”, theksoi ai.
Kurti tha se reformimi i sistemit gjyqësor nuk mund të bëhet nga njerëzit Brenda këtij sistemi.
‘Reformimi i gjyqësorit përbrenda nën ndikimin e mekanizmave aktualë e akterëve momentalë, nuk është i mundur. Këtë e kemi të konfirmuar edhe me opinionet e pranuara nga Komisioni i Venecias. Përderisa nuk ka dyshim që mekanizmat e ndërtuar kanë potencial të sigurojnë pavarësi, të njëjtën nuk mund ta bëjnë nën drejtimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të mveshur me dyshimin për mungesë etike, profesionalizmi e efikasiteti’, theksoi Kurti.
Ministrja Haxhiu, tha se opinionet e Komisionit të Venecias për vettingun dhe për byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme i kanë hapur rrugë reformës në drejtësi.
“Që të dyja këto nisma të rëndësishme janë mbështetur nga anëtarët e Komisionit të Venecias në seancën e djeshme [17 qershor] dhe tashmë kemi marr dritën e gjelbër për të filluar me procesin e vetting-ut, por po ashtu edhe për të formalizuar punën e Byrosë Shtetërore për Konfiskim e Pasurisë së Pajustifikueshme”, tha ajo.
Ministrja Haxhiu bëri të ditur se në opinionet e Komisionit të Venecias ka edhe rekomandime.
“Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe në prokurori, përmes një mekanizimi të jashtëm, pra nivele të larta duke filluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha prokurorive”, tha ajo.
“Komisioni konstaton së në kontekstin e Kosovës një vetting efektiv do të kërkonte kombinimin e masave të ndryshme që do të kenë efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë”, shtoi ajo.
Sipas ministres Haxhiu, Komisioni i Venecias e ka vlerësuar se konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, “mund të jetë i dobishëm”.
“Pra Komisioni i Venecias e njeh mekanizmin për konfiskimin me bazë civile dhe jep se si një mekanizëm i tillë do të duhej fuqizuar dhe i cili do të ishte kompetent për verifikimin fillestar dhe më pas për konfiskimin përfundimtar do ta bëjë gjykata”, tha ajo.
E pyetur se si do të zgjidhet drejtori i Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ministra Haxhiu tha se Komisioni i Venecias ka rekomanduar që në komisionin përzgjedhës të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të pavarura.
Qeveria e Kosovëse kishte miratuar koncept-dokumentin për vetting-un në drejtësi më 13 tetor.
Projektligji për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme miratohet me shumicë të shtjeshtë në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq për procesin e vettingut nevojitet të bëhen ndryshime në Kushtetën e Kosovës, për çka kërkohen votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit, si edhe të dy të tretave të deputetëve të komuniteteve joshumicë.
Ministrja Haxhiu tha se për procesin e vettingut është i nevojshëm një consensus i gjerë politik dhe shfaqi shpresën se ky proces do të përkrajet edhe nga partitë opozitare.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin thënë se Kosovës i duhet një “vetting sistematik” në drejtësi, ndërkaq Komisioni Evropian kishte thënë se vettingu i njëkohshëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paërbën “burim serioz shqetësimi”.
(r.m.)