Prishtinë, 1 korrik 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka hedhur poshtë idenë e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për organizimin e një konference ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës e Serbisë.
Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia tani duhet të zbatojnë pa kushte Marrëveshjen bazë, të arritur më 27 shkurt në Bruksel, dhe Aneksin e zbatimit të saj, të miratuar më 18 mars në Ohër.
“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe e tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti në Bruksel dhe gjithashtu aneksin e zbatimit të saj të 18 marsit në Ohër. Krejt çfarë duhet bërë tani është që pa kushte të implementohet marrëveshja bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer e të balancuar. Kjo duhet të bëhet, dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, ka thënë Kurti, në një deklaratë për medie.
Ditë më parë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paraqitur idenë për një konferencë ndërkombëtare për shtensionimin e situatës aktuale në pjesën veriore të Kosovës dhe per arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës e Serbisë. Ai ka sugjeruar që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “të mos lejohen të dalin pa arritur një marrëveshje”.
Partitë politike opozitare në Kosovë e kanë pritur me skepticizëm idenë e Ramës. Ato hezitojnë të shprehin qartë qëndrimin e tyre, derisa nuk e kanë parë propozimin.
Kritikët e idesë druajnë se në një konferencë eventuale do të hapeshin çështje të mbyllura në aspektin juridik e kushtetues, përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues.
Idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën e Serbisë e ka mbështetur Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
(r.m.)