Kurti e kërcënon opozitën me zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme

Prishtinë, 2 prill 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërcënoi opozitën se vendi do të shkojë në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme, në qoftë se dështon procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

“Është e domosdoshme që të kemi konstituimin e institucioneve, përfshirë edhe atë të presidentit, në mënyrë që të kemi mandatin 4 vjeçar. Përndryshe, shkojmë në zgjedhje”, tha Kurti të premten, në seancën plenare të Kuvendit.

Kurti e bëri këtë deklaratë pas kritikave që iu drejatuan atij për shkak se nuk e ka sjellë në Kuvend planin e punës së qeverisë që e drejton ai.

Ai tha se plani i punës së qeverisë do të vijë në Kuvend pas “skanimit” të gjendjes të cilën e ka gjetur qeveria.

“Jemi duke e skanuar gjendjen që e kemi gjetur dhe, në përputhje me këtë regjistrim, me këtë trashëgimi që kemi hasur, në kuptimin institucional, politik dhe administrativ, do të përpilojmë edhe programin tonë qeverisës dhe të punës. Pastaj, duhet zgjedhur presidenten edhe më pas edhe duhet dorëzuar planin e punës”, tha ai.

Kurti nuk heq dorë nga synimi që presidente e Kosovës të zgjidhet Vjosa Osmani, udhëheqëse e Nismës “Guxo” që garoi bashkë me Lvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.

Zonjës Osmani i është premtuar mbështetje nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga ata të komuniteteve joserbe. Ajo mund të zgjidhet presidente me votat e deputetëve të këtyre subjekteve politike në raundin e tretë të votimit, por në të tri raundet e votimit duhet të marrin pjesë së paku dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovë, që është në opozitë, ka marrë vendim që deputetët e kësaj partie të marrin pjesë në votimin për presidentin. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse në vlotim do të marrin pjesë të gjithë deputetët e LDK-së.

Kundër kandidaturës së Vjosa Osmanit janë deklaruar dy partitë tjera opozitare shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Lista Serbe nuk është deklaruar fare lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.

(r.m.)