Prishtinë, 1 dhjetor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë ta dorëzojë tek autoritetet kosovare Millan Radoiçiqin, udhëheqësin e grupit të armatosur të serbëve në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.
“Ne kërkojmë prej faktorëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë trysni Beogradit ta dorëzojnë kryekriminelin Radoiçiq tek institucionet e Kosovës”, tha ai.
Kurti shprehu bindjen se Radoiçiqi është strumbullari i sulmeve që kanë ndodhur dhe që mund të ndodhin në të ardhmen në Kosovë dhe për të neutralizuar veprimtarinë e tij kriminale është e domosdoshme që ai t’u dorëzohet organeve të drejtësisë në Kosovë.
“Problemi kryesor për bindjen time është fakti që Millan Radoiçiqi nuk dorëzohet nga autoritetet serbe te ato të Kosovës”, tha Kurti të dielën, në një konferencë për media në Prishtinë, ku foli për sulmin terrorist ndaj kanalit të ujit të hidrosistemit “Ibër – Lepenci” në fshatin Varagë të komunës së Istogut.
Kurti e krahasoi sulmin terrorist në kanalin e ujit të hidrosistemit “Ibër – Lepenci” në Varagë me sulmet masive të Rusisë ndaj infrastrukturës jetike në Ukrainë
“Qëllimi ka qenë që një pjesë e madhe e vendit të mbetej pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim. Ky sulm duket se ka ndërlidhje me sulmet masive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës”, tha Kurti.
Ai e shfaqi edhe një fotografi të një embleme të njësive ushtarake të Ushtrisë Ruse e cila është konfiskuarar nga Policia e Kosovës të shtunën, gjatë aksionit në pjesën veriore të vendit.
“U gjetën dhjetëra emblema të njësive ushtarake ruse. Këto emblema u përkasin njësive të veçanta ruse”, tha Kurti.
Autoritetet e sigurisë në Kosovë njoftuan të shtunën për arrestimin e tetë të dyshuarve lidhur me sulmin ndaj kanalit të Ibër – Lepencit dhe konfiskuan armë, municione, pajisje e veshje ushtarake, pjesa më e madhe e të cilave janë prodhim i Serbisë.
Sulmi ndaj kanalit të ujit në veri u dënua gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Bashkimi Evropian dhe Gjermania e cilësuan këtë sulm si akt terrorist.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje për gjetjen dhe ndëshkimin e kryesve të ëtij sulmi, më të madhit në Kosovë pas përfundimit të luftës.
(r.m.)