Kurti e Lajçak bisedojnë për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi

Athinë, 11 korrik 2022 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë takuar në Greqi, në margjina të Simpoziumit Symi.

Lajçak, në një postim në Twitter, ka shkruar se ai dhe Kurti kanë diskutuar për situatën aktuale në rajon dhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë.

“Në margjinat e edicionit të Symi Symposium, me Albin Kurtin diskutuam për situatën aktuale në rajon dhe për dialogun për normalizim. Ne u fokusuam veçanërisht në hapat e mëtejshëm të nevojshëm për të bërë përparim në dialog”, ka shkruar Lajçak.

Ditë më pare, në Forumin e 15-të në Dubrovnik, Lajçak kishte deklaruar se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është procesi më strategjik në rajon. Ai kishte thënë se janë gati për miratim tri-katër marrëveshje dhe se pret që ato të finalizohen së shpejti.

Ditë më parë Brukseli kishte paralajmëruar se Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë do të takohen gjatë muajit korrik, por gjasat për këtë takim janë zbehur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e reciprocitetit për letërnjoftimet dhe për tërheqjen e targave të automjeteve të serbëve të Kosovës të lëshuara në Serbi.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe vartësit e tij kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe e kanë akuzuar Kurtin se po e minon dialogun dhe po e kërcënon popullatën serbe në Kosovë.

Madje, ata e kanë akuzuar faktorin ndërkombëtar se po i mbështet këto vendime të Qeverisë së  Kosovës.

(r.m.)