Kurti e Lajçak biseduan për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Athinë, 8 prill 2022 – Në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.

Zyra e Kryeministrit Kurti njoftoi se në këtë takim është biseduar për mbarëvajtjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe për hapat e ardhshëm në këtë proces.

“Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor e të balancuar. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në njoftim.

Në takim është biseduar edhe për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Jemi dy javë larg afatit për marrëveshje për këtë çështje, bazuar në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian”, citohet të ketë thënë Kurti, por nuk jepen më shumë detaje lidhur me bisedimet lidhur me këtë temë.

Vetë Kurti, në një postim në Twitter, ka bërë të ditur se ka insistuar në njohjen reciproke të dokumenteve  dhe ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovë për një marrëveshje të përhershme të bazuar në njohjen reciproke.

“Në Forumin e Delphit, me Miroslav Lajçakun biseduarn për vazhdimin e dialogut në Bruksel. Duke qenë se data e skadencës për marrëveshjen për targat e automjeteve po afron nevoja për njohje reciproke të dokumenteve është evidente. Kosova është e përkushtuar për një dialog parimor dhe për marrëveshje të përqendruar në njohjen reciproke”, ka shkruar ai.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës bën të ditur se z. Kurti e ka falënderuar zotin Lajçak për angazhimin dhe mbështetjen e dialogut dhe për kontributin e Bashkimit Evropian për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe siguri në rajon.

Në takim është biseduar edhe për invazionin rus në Ukrainë dhe për ndikimin e tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Europë.

(r.m.)