Rethymnon (Kretë, Greqi), 17 korrik 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar të hënën me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, për uljen e tensioneve me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Dy zyrtarët kanë biseduar në margjina të Simpoziumit SYMI të mbajtur në Kretë të Greqisë.
Kurti e ka konfirmuar vetë takimin përmes një postimi në Tëitter.
“Në margjina të Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë, pata një bisedë të gjatë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për deeskalimin e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Had a long conversation with EUSR @MiroslavLajcak on the sidelines of the 25th SYMI Symposium in Crete on the de-escalation of tensions and normalization of relations with Serbia. We remain committed. The weather was far hotter than our discussion. pic.twitter.com/oGqvDNfU0K
— Albin Kurti (@albinkurti) July 17, 2023
Më 11 korrik, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Kosova ka pranuar të reduktojë numrin e policëve në ndërtesat e komunave në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok dhe se ka shprehur gatishmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën dhe për të ecur përpara me zbatimin e marrëveshjes bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Bashkimi Evropian ka kërkuar që Kosova të tërheqë policinë speciale dhe të nxjerrë nga ndërtesat e komunave veriore kryetarët shqiptarë që nuk pranohen nga serbët dhe të shpallen zgjedhje të reja për kryetarë të këtyre komunave.
Për shkak të mospërrmbushjes së këtyree kërkesave, BE-ja ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mospjesëmarrjen e autoriteteve të Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale të përfaqësuesve të vendeve të BE-së, përveç atyre që kanë të bëjnë me adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
(r.m.)