Kurti e lavdëron punën dyvjeçare të qeverisë së tij, opozita e cilëson qeveri të dështuar

Prishtinë, 6 prill 2023 – Opozita e ka kritikuar ashpër punën dyvjeçare të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të tij.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti, opozita tha se kjo qeveri dështoi pothuajse në të gjitha fushat.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së Kurtit, nga Kosova janëlarguar më se 107 mijë qytetarë, për shkak të mungesës së shpresës për jetë më të mirë.
“107 mijë qytetarë gjatë dy vjetëve qeverisje kanë ikur nga Kosova, jo si turistë, por si mërgimtarë që e kanë humbur shpresën në perspektivën që mund ta ofrojë shteti ynë. Kosova po shpopullohet. Ky migrim flet më së miri se sa janë të kënaqur njerëzit dhe familjet me qeverisjen tënde. Tregoju atyre 100 mijë familjeve që iu kanë ikur fëmijët gjatë qeverisjes tënde se sa mirë ke qeverisë dhe si ua ke përmirësuar jetën”, tha Krasniqi pas raportit të Kurtit, i cili e lavdëroi punën e tij dyvjeçare të ekzekutivit që e drejton ai.
Punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti e quajti të dështuar edhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi. Ai kujtoi disa nga premtimet që kishte dhënë Kurti gjatë fushatës zgjedhore.
“Sot po flasim fatkeqësisht për dështimet dyvjeçare të Kurtit. Nëse flasim për ekonomi dhe fillojmë për një çështje të parë që e ka premtuar, tha se do të vendosë reciprocitet të plotë me Serbinë dhe se kjo është çështje javësh, kurrsesi muajsh dhe rezultati për dy vjet qeverisje është 370 milionë euro importe nga Serbia. Kur flasim për ekonomi harron ta përmendë se e ka rritur tatimin në pronë. Shpërndante lëmosha për ta mbuluar paaftësinë. Nuk i ndan pagat në bazë të normës së inflacionit. Investimet kapitale kanë qenë vetëm 11 për qind në nëntë muajt e parë të vitit 2022. A e dini se vetëm nga shuma e parave që janë zhvlerësuar do të mund të bëheshin shumë projekte. Thatë që qytetarët flenë në thëngjill dhe energjia është e shtrenjtë. Në qeverisje keni dhënë qindra miliona euro për energjinë dhe keni bërë shtrenjtimin e energjisë njëherë mbi 100 për qind e njëherë 15 për qind. Humbja e mostrave të Astrit Deharit është përgjegjësi e juaja. Në politikën rajonale e vetmja që do të mbahet mend është glorifikimi i Oliver Ivanoviqit. ku një kriminel lufte glorifikohet. Thatë se do të dialogoni me Serbinë vetëm pas kërkim-faljes. Shkuat në dialog dhe bëtë marrëveshje që vetë keni premtuar se kurrë nuk do ta bëni lëtë marrëveshje dhe tash do ta formoni Asociacionin. Ju kryeministër po themeloni autonominë territoriale të komunave me shumicë serbe dhe kjo është shkelja me e rëndë që u bëhet qytetarëve dhe Kushtetutës së Kosovës. Sot po flasim për një dështim dhe paaftësi dyvjeçare. Edhe në dy vjetët e ardhshëm do të jeni dështim me këtë logjikë, me këtë gllabërim të pushtetit, me këtë krijim të vakancës në institucione të shtetit”, tha Gashi.
Shumë kritik për qeverisjen dyvjeçare të Kurtit dhe ministrave të tij ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ndër të tjera, ai e quajti “rrenë” raportin për zhvillimin ekonomik dhe e akuzoi Kurtin se “po e mban peng” buxhetin e Kosovës.
“Mund ta quajmë sukses grumbullim e parasë publike. Se si është zbatuar buxheti më lejoni t’u sjell të dhënat nga viti që shkoi. 800 milionë buxhet i Kosovës i mbajtur peng në një periudhë me inflacion. Ju lutem a quhet sukses ky devalvim i parasë. Nëse keni lexuar diku që është quajtur sukses një gjë e tillë, nuk e di kush ju ka mësuar dhe po ju mashtron se kjo është sukses. Ti ke strategji perfide. Po doN me i lodhë njerëzit, komunat, sipërmarrësit… Po dëshiron t’i kthesh në skllavë dhe varen nga lëmoshajote. Unë po i dëgjoj këto rrenat për suksesin ekonomik. Kujt i është rritur fuqia blerëse në Kuvend? Nuk e kuptoj pse ia ke marrë inatin shtetit tënd?”, tha Haradinaj.
E shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bensik Tahiri, paraqiti në Kuvend një propozim-rezolutë për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti.
“Sot Qeveria udhëhiqet me ushtrues detyre në nivelet më të larta të shtetit. A e dini pse? Sepse me një e-mail vendosen dhe me një e-mail shkarkohen. Sot Ligji i pagave ka ndihmuar 10 mijë njerëz, 70 mijë të tjerë nuk e dinë saktësisht sa e kanë pagën”, theksoi ai.
Tahiri tha se Kosova nuk ka qenë kurrë më e dobët se tani as në rrafshin ndërkombëtar.
“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka vërtetuar se kjo Qeveri tani ka hyrë edhe në afera korruptive. Rasti i Martin Berishajt është marrja e kësaj Qeverie dhe askush asnjë fjalë s’e flet. Politika e jashtme nuk e ka mbrojtur në asnjë formë interesin e vendit”, tha Tahiri.
Ai e kritikoi Qeverinë Kurti edhe për mungesë të investimeve kapitale si edhe për gjendjen e disa rrugëve magjistrale në Kosovë.
Kurti: Zhvilluam ekonominë dhe forcuam sundimin e ligjit
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, kryeministri Kurti tha se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së tij, në Kosovë ka pasur rritje ekonomike, rritje të investimeve dhe hapje të vendeve të reja të punës.
“Rritja ekonomike ka rezultuar edhe në rritje të punësimit. Për 21 muaj, nga marsi i vitit 2021 deri në dhjetor 2022, është rritur punësimi primar nga 325 mijë e 467 të punësuar në 362 mijë e 817 të punësuar. Pra, për 21 muaj, 37 mijë e 350 të punësuar më shumë, dhe numri i grave të punësuara është 50.3 për qind i rritjes së gjithmbarshme”, theksoi Kurti.
“Buxheti i shtetit është rritur me 760 milionë euro për dy vjet ndërsa ekonomia është rritur me 2.1 miliardë euro”, shtoi ai.
Kurti foli edhe për punën e qeverisë së tij për reformimin e sistemit të drejtësisë. Ai veçoi miratimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin të Pasurisë së Pajustifikueshme dhe procesin e hartimit të bazës ligjore për vetingun në drejtësi.
Kurti lavdëroi edhe punën e qeverisë së tij për luftimin e korrupsionitdhe krimit të organizuar. Ai tha se gjatë qeverisjes dyvjeçare të kabinetit të tij qeveritar është punuar në forcimin e rendit dhe ligjit. Kurti tha se gjatë kësaj periudha janë arrestuar mbi 300 zyrtarë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
(r.m.)