Kurti e O’Brien biseduan në Davos për situatën aktuale në Kosovë e në rajon

Davos, 16 janar 2024 – Kryeministri e Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës.

Kurti, në një postim në platformën “X”, ka thënë se me z. O’Brien kanë biseduar për situatën aktuale në Kosovë e në rajon. Ai ka theksuar se SHBA-ja është “një mike dhe aleate e çmuar” e Kosovës.

“Kënaqësi të takohem me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, pas mbërritjes në Davos. Ai shprehu vlerësimin për përparimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës dhe e vlerësoi përmbajtjen tonë përballë sulmeve dhe provokimeve. SHBA-ja është një mike dhe aleate e çmuar. Kemi kënaqësinë të vazhdojmë bashkëpunimin”, ka shkruar Kurti.

Në prag të fillimit të punimeve të Forimit të Davosit, Kurti ka theksuar se prioritet i takimeve të tij bilaterale do të jetë siguria e Kosovës dhe shkeljet e marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

“Natyrisht që për neve prioritet është siguria e Kosovës, e kufijve të saj. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi vjen së pari prej zbatimit e mos shkeljes së marrëveshjes bazë e së dyti nëpërmjet sigurisë ligjore, që kjo marrëveshje nuk do të shkelet e unë besoj se garancë për këtë është pikërisht nënshkrimi i saj”, ka thënë Kurti.

Me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, është takuar në Davos edhe i dërguari i posaçëm e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak,

Emisari europian ka thënë se SHBA-ja me BE-në “janë në të njëjtën linjë” sa i përket Ballkanit Perëndimor.

Një ditë më herët, Lajçak është takuar në Davos me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin ka biseduar për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

(r.m.)