Kurti e quan të domosdoshëm koordinimin e BE-së dhe SHBA-së për dialogun

Prishtinë, 1 qershor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se bashkëpunimi dhe koordinimi midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, “është i mirëseardhur, sepse është i domosdoshëm”.

“Dialogu duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe të paqes e sigurisë së gjithmbarshme”, theksoi ai.

Kryeministri i Kosovës i bëri këto komente në takimin me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Dy diplomatët po qëndrojnë në Kosovë, në përgatitje për rifillimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut, ka paralajmëruar se në muajin qershor mund të zhvillohet  një takim i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

(r.m.)