Prishtinë, 6 shkurt 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e kupton se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesa vetëm me valutën Euro në operacionet me para të gatshme mund të ketë shkaktuar edhe konfuzion, prandaj e ka cilësuar të nevojshme “një periudhë tranzicioni”.
“Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme. Gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur. Tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë”, ka thënë Kurti, në një deklaratë për publikun.
“Por një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik”, ka shtuar Kurti.
Duke iu referuar shqetësimeve të serbëve të Kosovës që pagat, pensionet apo ndihmat sociale nga Serbia i marrin në dinarë, Kurti ka thënë se kjo rregullore nuk e targeton Dinarin e Serbisë, por i eviton transaksionet joformale me këtë monedhë.
“Kjo rregullore nuk e targeton Dinarin e Serbisë. Banka Qendrore ka kërkuar, me të drejtë, që transaksionet joformale që kryhen në Dinarë të Serbisë të formalizohen; prandaj, ekzistenca dhe vazhdimi i tyre kishin qenë të kundërligjshme”, ka thënë ai.
“Pagesat e marra nga serbët e Kosovës janë ende të lejueshme, por do të deponohen në llogaritë e tyre me Euro. Natyrisht, posedimi privat i monedhave të huaja mbetet i lejueshëm”, ka theksuar ai.
Kurti ka thënë se kjo rregullore nuk i dëmton serbët që marrin para nga Serbia, sepse ato mund të transferohen në Euro në llogaritë e tyre personale në bankat apo përmes institucioneve tjera financiare në Kosovë.
“Pensionet që marrin nga Serbia mund të transferohen në të njëjtat llogari, si plotësim dhe jo si zëvendësim të skemave ekzistuese të përfitimeve. Përveç degëve bankare zyrtare, ka 15 institucione të tjera financiare ku pensionet nga Serbia mund të ndahen, në mungesë të llogarive bankare”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, Kurti ka theksuar se aid he kabineti i tij qeveritar e mbështesin pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës.
“Zyra e Kryeministrit mbështet plotësisht pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe profesionalizmin me të cilin ajo kryen detyrat e veta. Në këtë cilësi, ndihem i obliguar që të mbroj profesionalizmin e trupave publike”, ka thënë ai.
Faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë kjo rregullore te komuniteti serb në Kosovë, pasi ata që nga paslufta kanë përdorur monedhën kombëtare të Serbisë. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
(r.m.)