Kurti e takon komisioneren eBE-së për Zgjerim, kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës

Bruksel, 4 dhjetor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të mërkurën në Bruksel me Komisioneren e BE-së për Zgjerim, Marta Kos. 

Zyra e Kryeministrit njoftoi se z. Kurti e ka njoftuar zonjën Kos me detajet e sulmit terrorist të 29 nëntorit në kanalin e “Ibër-Lepencit” në Zubin Potok. Ai ka treguar se në mesin e materialeve të konfiskuara pas sulmit janë gjetur armë, municione, pajisje dhe uniforma të ndryshme ushtarake, si edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë emblema të njësive të ndryshme të ushtrisë ruse dhe ushtrisë serbe. 

Në nmjoftim bëhet e ditur se në këtë takim është diskutuar edhe për avancimin e procesit të integrimit të Kosovës në BE dhe për marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje.

“Kryeministri u shpreh se Republika e Kosovës është shembull shumë i mirë që zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah. Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e Planit të Rritjes, i cili është instrumenti kryesor për rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. Me këtë rast, përmendi zbatimin e agjendës së reformave ERA II e cila deri në fund të vitit 2023 ka arritur shkallë zbatimi prej 72%”, thuhet në njoftim. 

Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se z. Kurti ka kërkuar që BE t’i heqë masat e vendosura ndaj Kosovës dhe miratimin e kërkesës së Kosovës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Kurti se ka thënë që përkushtimi i Kosovës në zbatimin e reformave evropiane dhe linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së meriton pranimin e pyetësorit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat”,  thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

(r.m.)