Kurti e themelon Fondin e Sigurisë, fton qytetarët të kontribuojnë për sigurinë shtetërore (Dokument)

Prishtinë, 1 mars 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka marrë vendim për themelimin e Fondit të Sigurisë.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e ‘Fondit të Sigurisë’”, ka njoftuar Kurti në një postim në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se mjetet e Fondit të Sigurisë dedikohen ekskluzivisht për mbrojtje dhe siguri.

“Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës. Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë thirrje për mbështetjen e fondit.

“Ftohen qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore”, ka shkruar Kurti.

Nevoja për krijimin e një fondi për rritjen e përkrahjes financiare të Forcës së Sigurisë së Kosovës është aktualizuar sidomos tani, pas agresionit rus në Ukrainë.

Ndër të parët që ka propozuar krijimin e një fondi për forcimin e Ushtrisë së Kosovës kaqenë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai e ka bërë këtë propozim në dhjetor të vitit 2021.

(r.m.)