Prishtinë, 10 korrik 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për Srebrenicën dhe Bosnjën e Hercegovinën nuk ka as paqe e as drejtësi, derisa ka udhëheqës shtetërorë që e mohojnë gjenocidin e kryer në Srebrenicë.
Në një ceremoni përkujtimore për viktiimat e gjenocidit në Srebrenicë, që u nbajt të hënën në Prishtinë, Kurti tha se Serbia është përgjegjëse për këtë gjenocid.
“Serbia u bë përgjegjëse që nuk e ndaloi kryerjen e krimeve. Ajo asnjëherë nuk u bë përgjegjëse që e kreu pamëshirshëm këtë gjenocid”, tha ai.
Kurti tha se dënimi me burgim të përjetshëm i ish-presidentit të Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe ish-udhëheqësit ushtarak të serbëve në Bosnjë, Ratko Mlladiq, nga Gjykata për krime lufte në ish-Jugosllavi, për gjenocidin në Srebrenicë dëshmon se gjenocidi në Bosnjë e Hercegoviinë është kryer edhe nga Serbia.
“Ky është tregues që gjenocidi në Bosnje nuk ka ndodhur nga brendësia, por nga jashtë, dhe që përgjegjës nuk janë vetëm disa serbë të Bosnjës, por Serbia si shtet. Prandaj, ende nuk ka drejtësi dhe paqe për Srebrenicën dhe Bosnjën”, tha ai.
Kurti i kritikoi politikanët në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska të Bosnjës e Hercegovinës që mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Ai theksoi se mohimi i gjenocit “është kripë në plagën” e familjarëve të viktimave.
Kryeministri i Koosovës tha se ndëshkimi i përgjegjësve për krimet e luftës është kusht për paqe të qëndrueshme dhe fqinjësi të mirë në rajon.
“Ne duam paqe, bashkëpunim dhe barazi mes shteteve dhe popujve në Ballkan. Por, vendosja e kësaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e paimagjinueshme se si në shekullin 21 ka politikanë në rajonin tonë që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut dhe kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e duke vendosur drejtësi. Dhe i vetmi dialog i mirë kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve”, theksoi Kurti.
Deputeti i Kuvendit të Bosnjës e Hercegovinës, Shemsudin Mehmedoviq, i cili mori pjesë në manifestimin përkujtimor për viktimat e Srebrenicës, e akuzoi Serbinë dhe entitetin e Republikës Sërpska nuk pranojnë gjenocidin e kryer nga serbët. Ai tha se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Presidenti i Republikës Sërpska, nuk i njohin si shtete Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën.
“Aleksandar Vuçiq dhe Millorad Dodik nuk e pranojnë Kosovën tuaj dhe Bosnjën e Hercegovinën time. Ata nuk na pranojnë as si popuj, për shkak të politikave të tyre gjenocidale dhe përsëritjes së krimeve”, theksoi ai.
Mehmedoviq tha se Serbia, e cila thotë se asnjëherë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës e mbështet projektin për shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja e Hercegovina.
Dy vjet më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë me të cilën e njohu gjenocidin në Srebrenicë, të kryer nga serbët.
Në korrik të vitit 1995, forcat e ushtrisë së serbëve në Bosnje, të udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiq, vranë në Srebrenicë rreth 8.000 civilë boshnjakë vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
Gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi ka vlerësuar se në Srebrenicë ështëkryer gjenocid.
Por, autoritetet shtetërore në Serbi dhe autoritetet në entitetin Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë vazhdojnë të mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid.
(r.m.)