Kurti: Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit e ka përfunduar punën e vet

Prishtinë, 7 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të dielën se ekipi menaxhues për hartimin e draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka përfunduar misionin dhe funksionin e tij.

Kurti, në një konferencë për media, ka thënë se vendimi për lirimin nga detyra të këtij ekipi është “gjëja më e natyrshme dhe më e logjikdshme”.

“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionon e vet, andaj ne nuk kemi më arsye ta dëgjojmë ekipin menaxhues. Çka pati për të thënë e tha në Bruksel, më 2 maj. Edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme”, ka thënë Kurti.

“Shkuam në Bruksel, e dëgjuam prezantimin e draft statutit. E prezantuan vetëm thelbin e statutit, pastaj na E përcollën të plotë. Nga neni kuptohet që është dëshira e madhe për një Republikë Srpska në Kosovë, shprehim mospajtimin fondamental me këtë propozim”, ka shtuar Kurti.

Ai ka thënë se nga ndërmjetësit  e dialogut nuk ka marrë ende ndonjë përgjigje lidhur me propozimin e tij për zbatimin e Nenit 7 të Marrëveshjes Bazë, të pranuar verbalisht nga palët në Bruksel dhe në Ohër.

“Unë e dhashë një propozim timin se si duhet të rregullohet nen 7 i Marrëveshjes që kemi bërë. Ndërmjetësit nuk dhanë vlerësim për të”, është shprehur ai.

Kryeministri ka thënë se për propozimin e tij është inspiruar nga modeli i Kroacisë për të mbrojtjen e pakicës serbe.

“Ky draft-vizion që e kam prezantuar unë aty është i inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht për pakicën serbe. Marrëveshjenpër mbrojtjen e pakicës serbe në Kroaci e ka pranuar edhe Serbia, prandaj ne kemi konsideruar që ky është modeli që ne do të mund ta aplikojmë në Kosovë. Nëse Serbia e ka pranuar këtë model në Kroaci, konsiderojmë që duhet ta pranojë edhe në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Kurti tha se gjatë këtij muaji pritet të zhvillohet një takim tjetër me ndërmjetësit e dialogut Kosovë – Serbi.

(r.m.)