Kurti: Ende s’kam marrë ndonjë ftesë për takim me Vuçiqin

Prishtinë, 1 gusht 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ende nuk ka pranuar ftesë zyrtare për takim eventual me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Por, ai theksoi se Kosova është e gatshme për një dialog të përgatitur mirë, të përqendruar nënjohje reciproke .

“Një ftesë të tillë deri në këto momente nuk kemi. Në momentin që do ta   kemi, sigurisht që do ta bëjmë publike dhe do ta shprehim qëndrimin tonë. Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke. Gatishmëria nga ana jonë ekziston”, ka thënë Kurti, duke komentuar raportimet se Përfaqësuesi i BE-së për politikë të Jashtme, Joseph Borrell, i ka ftuar në Bruksel atë dhe Vuçiqin.

Kurti ka thënë se takimi që ishte planifikuar të mbahej më 19 korrik ishte shtyrë me kërkesë të Vuçiqit.

“Me presidentin e Serbisë është dashur të takohemi në Bruksel më 19 korrik, mirëpo ai ka kërkuar të shtyhet ai takim për në fund të muajit gusht. Mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi dje, sepse ne është dashur të takohemi më 19 korrik”, ka thënë Kurti.

(r.m.)