Prishtinë, 26 korrik 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të dënojë dënimin e trysnisë së Beogradit ndaj serbëve që po integrohen në institucionet e Kosovës.
Kurti i përgëzoi pjesëtarët e komuniteteve joshumicë që u bënë pjesë e Policisë së Kosovës pak ditë më parë. Ai tha se janë të papranueshme fushatat e linçimit të policëve të rinj serbë që u bënë pjesë e Policisë së Kosovës.
“I përgëzoj për kurajon për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës, sidomos 46 serbët. Fushatat linçuese janë të papranueshme për ne, edhe pse ato janë shpërfillur nga vetë ata (policët e rinj serbë). Ata janë pjesëtarë që e kanë dashurinë për vendin. Faktori ndërkombëtar duhet të dënojë çfarëdo fushate linçimi. Duhet të jetë i zëshëm ndaj trysnive të vazhdueshme të Beogradit ndaj integrimit të serbëve. Ata që integrohen jetojnë më mirë. Ky është fakt. Ata që nuk integrohen, mbesin peng të politikave të Beogradit”, tha Kurti të mërkurën.
Në fillim të kësaj jave, Policisë së Kosovës iu bashkuan 72 pjesëtarë të komuniteteve joshumicë. 46 prej tyre janë serbë, 16 boshnjakë, 8 romë, ashkali e egjiptianë dhe 3 turq.
Ndaj policëve serbë, ka nisur një fushatë e egër linçuese nëpër rrjetet sociale. Ata akuzohen se janë vënë në shërbim të politikës së Kosovës e kundër interesit të popullit serb e të shtetit të Serbisë.
Policia e Kosovës tha se shumica dërmuese e llogarive nga të cilat po linçohen policët e rinj serbë janë llogari anonime, të hapura enkas për këtë fushatë linçuese.
(r.m.)