Prishtinë, 7 prill 2025 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka nisur me dërgimin e ftesave për partitë opozitare për takime konsultative për formimin e Qeverisë.
Kurti i ka dërguar ftesë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut për t’u takuar më 9 prill në orën 15:00 ose më 10 prill në prën 09:00 ose 14:00.
“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe Presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025. Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, shkruhet në letër.
Telegrafi ka kontaktuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për të mësuar nëse do të pranojë të takohet me Kurtin, por ai nuk është përgjigjur.
Nuk dihet nëse Kurti një ftesë të tillë u ka bërë edhe partive tjera opozitare.
Një gjë të tillë nuk e kanë konfirmuar as nga PDK-ja e as nga AAK-ja, ndonëse janë pyetur nga Telegrafi nëse kanë pranuar ftesa të tilla.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar 15 prillin si datë ku do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para dhe siguroi 48 ulëse në Kuvend. LDK-ja e Abdixhikut doli e treta dhe siguroi 20 ulëse.
Deri tash, LVV-ja nuk ka zyrtarizuar ndonjë marrëveshje politike për të siguruar numrin prej 61 ulësesh në Kuvend.
LDK-ja ka thënë se nuk hyn në koalicion me VV-në, ndërsa ka kushtëzuar me post të kryeministrit edhe ndonjë marrëveshje për qeverisje të opozitës.
(r.m.)