Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i tha Zërit të Amerikës se propozimi evropian për një marrëveshje me Serbinë përfshinë koncepte universale që e bëjnë marrëveshjen të qëndrueshme, por që sipas tij, Beogradi nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm ta pranojë.
Ai rithekson se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është e vetmja që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk shpalosi ndonjë plan rreth zbatimit të kësaj marrëveshjeje për përmbushjen e së cilës është shtuar trysnia ndaj tij.
Në një intervistë me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryeministri Kurti, thekson se qeveria e tij nuk bëri asnjë lëshim për heqjen e bllokadave në veriun e vendit të vendosura muajin e kaluar nga grupe qytetarësh serbë të mbështetur nga Beogradi.
Intervista e plotë:
Zëri i Amerikës: Kosova la pas një vit sfidues, çfarë prisni të jetë viti i ri për të?
Albin Kurti: Sigurisht që do të ketë sfida të cilat i trashëgojmë nga viti i kaluar, por në të njëjtën kohë mund të ketë edhe sfida të reja. Jemi në një kohë kur kontinenti evropian ndodhet në një luftë dhe në anën tjetër fqinji ynë verior është i lidhur më ngushtë se kurrë dhe më gjerë se kurrë pikërisht me Federatën Ruse, e cila kreu agresion ushtarak dhe invazion në Ukrainë. Në anën tjetër, brenda vendit tonë kemi pasur suksese të pamohueshme, për 17 vende jemi ngritur te Transparency International sa i takon luftimit të korrupsionit, pastaj edhe sa i përket lirisë së medieve sipas Reporterëve pa Kufij dhe gjithashtu për herë të dytë jemi të parët në Ballkan sa i përket sundimit të ligjit dhe të dytit në botë sa i përket përmirësimit në sundimin e ligjit. Kemi lëvizur nga grupi C në grupin B sa i përket qeverisjes të fokusuar në digjitalizim, kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës me 12 maj, në Bashkimin Evropian me 15 dhjetor dhe po përgatitemi që të aplikojmë edhe për anëtarësim në NATO. Imazhi i Kosovës është përmirësuar dhe kjo ka ndikuar që nga një janari i vitit 2024 të mos ketë regjim të vizave në zonën ‘Shengen’ për qytetarët e Republikës së Kosovës. Buxheti i vitit 2023 është më i madhi në historinë e Kosovës, 3.2 miliardë që është 17 për qind më i lartë se buxheti i vitit të kaluar dhe rritja ekonomike është 4 për qind pasi që të hiqet inflacioni, këtë rritje nuk e kemi ndaluar për shtetin por e kemi shpërndarë në shoqëri. Pakoja e ringjalljes ekonomike ishte diku përafërsisht 4 për qind të bruto produktit vendor në 2021-shin, e në vitin 2022 kësaj pakoje ia shtuam edhe pakon për përballje me inflacion gjithsej rreth 5 për qind të bruto produktit vendor. Kemi pasur edhe universitetin për herë të parë falas për të gjithë studentët, pra pa asnjë pagesë përveç atyre që bëjnë doktoraturë, edhe bachelor edhe master është falas në universitetin publik. Në të njëjtën kohë kemi vazhduar me ndihmën, me mbështetjen për lehonat dhe për fëmijët, tashmë për të gjithë fëmijët deri në moshën 16 vjeçare, pra nën moshën 16 vjeçare do t’i marrin shtesat për fëmijë dhe diku rreth 30 mijë lehona apo nëna të reja marrin po ashtu mbështetjen financiare nga qeveria, gjithsej janë rreth 260 mijë përfitues. Edhe në aspektin e energjisë këtë vitin që shkoi kemi pasur një sukses shumë të madh me korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, grant prej 202 milionë dollarëve – programi kompakt dhe gjithashtu 105 megavat me parkun e erës në Selac dhe 70 megavat me parkun solar për ngrohje. Eficienca e energjisë është duke u ngritur, me ç’rast kemi subvencionuar familjet të cilat kanë përdorur pajisje të cilat kursejnë energjinë elektrike, në nëntor të vitit që shkoi 15 për qind më pak kanë shpenzuar amvisëritë sesa një vit më herët. Andaj në shumë aspekte jemi më mirë dhe besoj që do të vazhdojnë sukseset edhe në vitin 2023, por vështirësi padyshim që do të ketë.
Zëri i Amerikës: Vështirësitë vijnë në një mënyrë të trashëguara nga viti që e lamë pas e tensionet që përshkuan gjysmën e dytë të vitit 2022 sikur kulmuan në veriun e Kosovës në muajin dhjetor. Ato u zbutën, të paktën përkohësisht, me heqjen e bllokadave. Si u bë e mundur një gjë e tillë, çfarë ofruat në shkëmbim të heqjes së tyre?
Albin Kurti: Ne kemi ofruar gjentilesën tonë karshi KFOR-it, i cili kërkoi pak më shumë kohë që të hiqen ato pa ndërhyrjen e policisë tonë. Policia jonë do të ndërhynte para vitit të ri nëse nuk do të hiqeshin barrikadat. Ne i dhamë KFOR-it kohën të cilën e kërkoi sepse natyrisht që më mirë është të hiqen pa intervenim. Pra nuk është që ne i gëzoheshim intervenimit të policisë, ne dëshironim që KFOR-i, i cili për 23 vite vazhdimisht ka afirmuar lirinë e lëvizjes, ta sigurojë atë dhe u bë mirë që ata që i vendosën barrikadat edhe i hoqën ato. Bindja ime e fuqishme është që nga frika edhe i kanë vendosur e nga frika edhe i kanë hequr.
Zëri i Amerikës: Pra nuk pati ndonjë marrëveshje?
Albin Kurti: Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje.
Zëri i Amerikës: Por a pati komunikim gjatë asaj kohe zoti kryeministër?
Albin Kurti: Ka pasur me ambasadën amerikane, ka pasur me ambasadorët e Quintit dhe sidomos më KFOR-in dhe EULEX-in, por ne nuk kemi ofruar asgjë në shkëmbim përveç kohës shtesë për KFOR-in. Gjithashtu, ishte e qartë që ato barrikada u ngritën nga strukturat ilegale të Serbisë që u shndërruan në banda kriminale pikërisht në kohën kur ne u dakorduam që t’i shtyjmë për prill të vitit 2023 zgjedhjet në katër komunat në veri. Pra, në njëfarë mënyrë mu atëherë kur ne e bëmë një konsecion, ata i ngritën barrikadat sepse kishin ngelur pa pretekst.
Zëri i Amerikës: Ju gjatë pjesës së dytë të vitit të kaluar disa herë keni diskutuar me bashkësinë ndërkombëtare, posaçërisht me diplomacinë amerikane, u janë bërë kërkesa për shtyrje, fillimisht keni refuzuar pastaj siç thotë opozita keni pranuar në fund duke dëmtuar madje edhe marrëdhëniet me diplomacinë amerikane. Përse ka ndodhur kështu zoti kryeministër?
Albin Kurti: Po u kërkua prej nesh të shtyhet 12 muaj ose 10 muaj sepse periudha një vjeçare sipas marrëveshjes së Brukselit thanë se nuk është konsumuar ende, por kjo nuk është e vërtetë. Nga mesi i janarit të vitit 2018 targa KM, PR, GL e të tjera nga koha e (Sllobodan) Millosheviçit, nuk do të duhej as të prodhoheshin as të lëshoheshin e as të ripërtëriheshin. Andaj është qëndrim i qeverisë së Republikës së Kosovës se ajo periudha 12 muajshe e kësaj marrëveshje për targat që është bërë në Bruksel, është konsumuar, pra nuk mund t’i pranojmë këto afate të cilat tashmë janë të konsumuara. Në anën tjetër neve na u tha që duhet t’i japim afat 12 muaj sepse nuk kemi informuar mjaftueshëm me fushatën tonë. Besoj që as kjo nuk qëndron, disa video i kemi bërë anëtarë të ndryshëm të qeverisë, fushata nëpër televizionet tona dhe nuk besoj që ka ngelur dikush i painformuar. Kërkohej që ne ta bënim këtë shtyrje në kohën kur digjeshin makinat e serbëve që i konvertonin targat KM në ato RKS që janë legale e legjitime, pra në njëfarë mënyre ne nuk mund të pranonim që po dështon shteti në efikasitetin e lëshimit të targave RKS për ata që dëshirojnë t’i konvertojmë dhe në anën tjetër nuk mund të pranonim një shpjegim alternativ për marrëveshjet e Brukselit. Çfarë kemi bërë? Ne nuk e kemi anuluar vendimin tonë mirëpo kemi bërë sekuencim dhe diferencim në zbatimin e tij, filluam me qortimet – afër dy mijë qortime dhe asnjë ankesë e asnjë incident dhe ne nuk e bëmë më pas gjobitjen për shkak se pranuam që t’i japim afat deri në pranverë të vitit të ardhshëm marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve, që do ta ketë në qendër njohjen reciproke. Pra ishte jo anulim i vendimit por sekuencim dhe diferencim në zbatim, është ende aty dhe tregon vullnetin e mirë të qeverisë së Republikës së Kosovës, ne jemi qeveri e një shteti sovran.
Zëri i Amerikës: Por gjatë kësaj periudhe kur tensionet shpesh herë vluan shumë, a ka pasur momente kur mund të keni thënë ‘nuk ja ka vlejtur për targat e makinave të tensionojmë situatën kaq shumë’?
Albin Kurti: Nuk besoj që kam pasur asnjë moment të tillë për shkak se unë nuk pres prej Serbisë së këtillë autokratike e cila nuk distancohet as nga e kaluara – Millosheviqi, as nga e tashmja – Putini, që ta ndërrojë qasjen ndaj Kosovës. Andaj unë nuk besoj që duhet brenda vetes tonë të gjejmë defekte, ne duhet ta kuptojmë që në veri e kemi një shtet armik i cili nuk e ndryshon Kushtetutën dhe i cili është shumë agresiv ndaj vendit tonë me ato 48 bazat ofensive, 28 të ushtrisë dhe 20 të xhandarmërisë. Do të ishte gabim i madh nëse kushdo në Kosovë tash provon që të hyjë në tezën e vetfajsimit, kur kemi një Serbi pro ruse e agresive si rrallë herë më parë.
Zëri i Amerikës: Por kishit kërkesa të diplomatëve amerikanë të cilët kanë dhënë garanci të fuqishme për sigurinë dhe sovranitetin e pavarësinë e Kosovës, por që kërkonin afate të caktuara për shembull si zoti (Derek) Chollet i cili në një moment u shpreh i zhgënjyer që ju nuk e dëgjuat atë.
Albin Kurti: Unë jam kryeministër i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe presidenti (Joe) Biden ka thënë që qeveria e Kosovës është qeveri e një shteti sovran. Asnjëherë partneriteti, aleanca, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është cenuar, nuk është rrezikuar, përkundrazi, por duhet ta kuptoni që Shtetet e Bashkuara të Amerikës përveç se na kanë njohur edhe ndërmjetësojnë midis Prishtinës e Beogradit dhe në këtë kuptim shpesh herë na vijnë edhe me ndonjë kërkesë e cila paraqitet si ide për kompromis. Nëse ne e konsiderojmë të arsyeshme si qeveri atëherë edhe e bëjmë, mirëpo asnjëherë nuk është kontestuar e drejta jonë që të vendosim për veten tonë, fundja ky është edhe kuptimi i 14 shkurtit të vitit 2021, ende nuk janë bërë dy vjet të fitores më të madhe demokratike në Kosovën e pasluftës.
Zëri i Amerikës: Por kritikët tuaj, posaçërisht ata nga opozita, thonë se vërehet një lloj qasje ndëshkuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundruall qeverisë tuaj. A e ndjeni ju këtë?
Albin Kurti: Unë nuk e ndjej këtë, përkundrazi, unë kam takime të rregullta me ambasadorin amerikan për çdo javë dhe jemi vazhdimisht në kontakt e në komunikim dhe pothuajse gjithmonë pajtohemi, por jo gjithmonë, sepse unë nuk mund t’i përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori amerikan dhe as sekretari i shtetit apo departamenti i shtetit nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën. Ne udhëhiqemi nga idealet amerikane, mirëpo kjo është Kosovë dhe ne duhet ta mbrojmë shtetin tonë, popullin tonë, historinë tonë edhe më shumë sesa që e bën këtë kushdo tjetër. Pra, ne nuk mund të presim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbrojnë Kosovën në diskurs edhe më shumë sesa vet ne, përkundrazi ne duhet që për Kosovën të kërkojmë edhe më shumë sesa kushdo tjetër, edhe më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër tensionet në veri nxitën shqetësime për ripërtëritje konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Keni pasur frikës, A ka pasur frikë dhe rrezik nga një gjë e tillë?
Albin Kurti: Nuk kam frikë unë. Jam i brengosur, jam i kujdesshëm, jam i shqetësuar sepse ky është pjesë edhe e përshkrimit të vendit tim të punës, mirëpo nuk kam frikë?
Zëri i Amerikës: Por, a kishte rrezik?
Albin Kurti: Po ka rrezik. Rrezik ka, sepse është Serbia. Jo sepse jam unë. Rrezik është sepse është Serbia në anën tjetër e cila nuk është penduar për krimet, nuk e ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës dhe në vitin që porsa lamë pas i ka bërë tri marrëveshje shumë të rëndësishme me Rusinë. E para është ajo për blerjen e gazit më së liri në Evropë, E dyta është ajo për koordinim në politikën e jashtme ndërmjet (Nikola) Selakoviçit dhe (Sergey) Lavrovit në New York në margjinat e AP të OKB-së. Dhe e treta është që njeriun më prorus në Serbi, politikanin më prorus në Serbi, e barti shef të shërbimit sekret, Aleksandar Vulinin, përndryshe i njohur si zëvendëspresident i partisë së gruas së (Sllobodan) Millosheviçit. Domethënë, unë nuk e di çka duhet të ndodhë më shumë që të kuptojmë se me çfarë Serbie kemi të bëjmë. Dhe në këtë situatë duhet të bëhemi bashkë kundër një Serbie të tillë që është më agresive dhe armiqësore se çdo herë më parë prej se kemi shpallë pavarësinë, në vend se të këqyrim të gjejmë papërsosuri brenda Kosovës së shumëvuajtur, që më në fund po ka zhvillim ekonomik dhe demokratik, pavarësisht mosnjohjes së Serbisë. Pra, ne duam njohje reciproke, por ndërkohë që nuk kemi njohje reciproke, ne duhet të zhvillohemi.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër diplomatët amerikanë, posaçërisht pas krizës në veri e thanë prerazi se duhet të përmbushen të gjitha marrëveshjet e deritashme me theks të veçantë në atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke ju bërë thirrje që të fillojnë negociatat për zbatimin e saj. A është hedhur ndonjë hap nga qeveria juaj për të? E di keni thënë se nuk keni asgjë të re për këtë asociacion por e reja është se trysnia është përqendruar mbi të. Keni hedhur ndonjë hap?
Albin Kurti: Në dekadën para se unë të bëhem kryeministër janë bërë 33 marrëveshje në Bruksel. Vetëm njëra nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Dhe pikërisht në atë insiston Serbia. Dy të tretat e marrëveshjeve nuk i ka zbatuar Serbia ndonëse i ka nënshkruar. Ajo insiston vetëm në këtë. Mirëpo, ju e keni parë edhe në dhjetor, Serbia nuk e ka mendjen te asociacioni i komunave, por e ka mendjen te asociacioni i barrikadave. Kjo i bie që barrikadave t’ua qosh komunat. Neni i 80-të i Kushtetutës së Serbisë, parasheh asociacion për pakicat, por asociacion vullnetar të individëve në aspektin kulturor dhe arsimor…
Zëri i Amerikës: A mund ta bëni ju një model të tillë?
Albin Kurti: Po. Unë ua kam thënë në Bruksel. Sepse presidenti i Serbisë u lavdërua se si trajtohen pakicat në Serbi. Ndërkohë që ne e dimë atë spastrimin etnik që bëhet ne Medvegjë, por edhe Bujanoc e Preshevë, me eliminim të adresave. Nëse ata besojnë që po sillen shumë mirë e pakicat, po e marrim modelin e tyre – janë Këshillat Nacional. Këshilli Nacional i shqiptarëve, i boshnjakëve, i hungarezëve e kështu me radhë. Në anën tjetër në Kosovë 92 për qind janë shqiptarë, pakicat janë 8 për qind dhe të mos harrojmë jo vetëm serbe. Kemi boshnjakë, turq, ashkali, egjiptian, romë edhe goranë. Të gjithë këta e pranojnë pavarësinë. Edhe shumica dërmuese e serbëve e pranojnë pavarësinë. Ata të cilët janë në lista të rrogave të Serbisë, nuk e pranojnë pavarësinë. Por ata janë pakica e pakicës serbe. Ndërsa në Serbi rreth 80 për qind janë serbë, rreth 20 për qind nuk janë serbë. Pra ne kemi shumë më pak pakica sesa Serbia. Dhe po e marrim modelin e tyre me Këshillat Nacionale edhe në Kosovë. Reciprociteti është parimi i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Në anën tjetër, nëse ata besojnë që Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila në masë të konsiderueshme është shkruar nga ish presidenti (Martti) Ahtisaari, si ndërmjetësues me shumë privilegje për serbët, ne i kemi nenet prej 57 deri në 62 të kapitullit të tretë për pakicat le të ndërrohet Kushtetuta e Serbisë dhe le t’i marrin këto gjashtë nene. Pra ashtu qysh i kemi të drejtat për pakicat, le t’i bëjnë në Serbi. O po ë bëjmë ne atë nenin 80 –të tyre, Këshillat Nacional të pakicave, ose le t’i marrin ata këto gjashtë nenet tona.
Zëri i Amerikës: Por këto çështje nuk janë pjesë e marrëveshjeve, nuk janë pjesë e trungut që është votuar në parlamentin e Kosovës. Asociacioni është. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe diplomatët amerikanë po thonë se nuk guxon të prekë Kushtetutën dhe as funksionalitetin e shtetit, por duhet të bëhet dhe ka modele në botë pa e prekur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit. A ka një zgjidhje a keni një model?
Albin Kurti: Unë ju kuptoj, ju e keni fjalën për atë ratifikimin që është bërë në qershor të vitit 2013 të marrëveshjes së 19 prillit të atij viti. Mirëpo, ajo marrëveshje, është interesant, e ka edhe pikën 14-të që thotë Kosovë dhe Serbia nuk do ta pengojnë njëra tjetrën sa u përket integrimeve evropiane. Këtë pikë e ka shkelur Serbia. Me datën 15 dhjetor në Pragë të Republikës Çeke, unë dorëzova aplikacionin zyrtar të Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Presidenti i Serbisë u shkroi letra shteteve të BE-së, ne veçanti pesë vendeve mosnjohëse, kundër anëtarësimit të Kosovës në BE. Pra, atë marrëveshje të cilën e ka aq shumë për qejf Serbia, vet e ka shkelur në javën e tretë të muajit dhjetor. Andaj ajo nuk mund të thirret në një marrëveshje që në njërën anë nuk e ka ratifikuar në kuvendin e Serbisë dhe në anën tjetër e ka shkelur vet.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër javën që vjen priten vizita me rëndësi në Kosovës, përfshirë këshilltarin e departamentit amerikan të shtetit Chollet, por edhe të dërguarit amerikan evropian, si dhe të dërguarit e Francës dhe Gjermanisë dhe pritet të jetë një periudhë e re e përpjekjeve në dritën e propozimit që u bë i njohur fillimisht si propozimi franko gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Ju e keni cilësuar atë bazë të mirë për diskutime, po a është bazë e mirë për zgjidhje?
Albin Kurti: Sigurisht që diskutimet duhet të çojnë në zgjidhje, mua në veçanti më ka pëlqyer fakti se kjo nuk është një marrëveshje e cila bëhet përbrenda asaj le ta quajmë ideologji e zgjidhjes së problemeve, ku ne e konsiderojmë secilin problem unik brenda Kosovës dhe mandej me marrëveshje të komplikuara me një oqean të hollësive për të cilën nuk ka askush interes që të marrë vesh detajet. Unë e kam mirëpritur faktin që kemi nocione, koncepte universale si hyrje të këtij propozimi, integriteti territorial, sovraniteti, pavarësia, barazia, sundimi i ligjit, demokracia, vetëvendosja pra të gjitha këto përmenden aty dhe gjuha universale edhe e shton parimësinë por edhe ja jep qëndrueshmërinë marrëveshjes. Duket që kjo i ka penguar më së shumti Beogradit dhe pikërisht për ta ambalazhuar refuzimin e këtij propozimi ata dhanë dorëheqje prej institucioneve në Kosovë në veri të Ibrit dhe me këto barrikada në njërën anë dëshiruan ta territorializojnë çështjen përbrenda nostalgjisë për të ashtuquajturin shkëmbim territorial që ka dështuar si projekt por nuk ka vdekur si ide, dhe në anën tjetër dëshiruan ta mbysin pluralizmin politik të komunitetit serb i cili në fakt po lind me Nenad Rashiçin dhe Rada Trajkoviçin. Nëse shikoni mediet në Serbi, këta dy persona janë gati edhe më të urryer sesa unë, pra është përpjekje e vazhdueshme e Serbisë për të mos lejuar pluralizmin e tyre. Unë besoj që kjo përpjekje e tyre pati çuar edhe në vrasjen e Oliver Ivanoviçit para pesë vjetëve. Konsideroj që propozimi franko gjerman apo i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është një bazë e mirë, mirëpo nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Beograd në fillim të nëntorit doli ministri i tyre i Jashtëm, përndryshe zëdhënës i partisë së Millosheviçit dikur, dhe tha se e kemi hedhur poshtë propozimin e tillë. Unë besoj se të gjithë duhet të merremi me ta dhe jo me mua e me sekuencimin e diferencimin e zbatimit të vendimit për targat.
Zëri i Amerikës: Megjithatë ka një përshtypje se trysnia është më shumë e përqendruar në Prishtinë dhe më pak në Beograd.
Albin Kurti: Po ashtu edhe unë e kam përshtypjen që të këqijat që vazhdon të bëjë Beogradi do të duhej të kishin një trysni shumë më të madhe atje dhe përse nuk po ndodhë kështu, besoj se nuk do të duhej të përgjigjem unë.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër megjithatë propozimi franko gjerman nuk e përmend njohjen e ndërsjellë, ndonëse në të kaluarën edhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se një zgjidhje duhet të përqendrohet rreth njohjes së ndërsjellë dhe tani sikur është lënë anash, sikur nuk është koha për një gjë të tillë. A nuk e bënë këtë propozim më shumë si një zgjidhje të ndërmjetme?
Albin Kurti: Varet nga negociatat, unë nuk mendoj që ende pa filluar negociatat mund të dihet rezultati, por dihet forma e atij rezultati e forma për mua është e qartë – normalizim i plotë i marrëdhënieve sepse marrëdhëniet i kemi abnormale, me njohjen reciproke në qendër. Tash le të ja fillojmë diskutimeve dhe le të shohim, ne e duam njohjen reciproke në qendër, Beogradi e do Asociacionin e komunave si parakusht. Por e do Asociacionin si parakusht jo sepse e do Asociacionin por për shkak se nuk e do marrëveshjen, nuk e do paqen, nuk e do normalitetin e marrëdhënieve tona. Ne kemi treguar edhe gatishmëri, edhe vullnet, edhe interesim, kemi qenë kreativ, konstruktiv e të përkushtuar, arsyeja përse nuk kemi marrëveshje është në Beograd.
Zëri i Amerikës: Kur prisni të fillojnë bisedimet rreth kësaj?
Albin Kurti: Në muajin janar ne presim të kemi vizita të të gjithë emisarëve, atij evropian, amerikan, nga Berlini dhe nga Parisi me ç’rast besoj se kemi nevojë për një hov të ri të dialogut për marrëveshje i cili në njërën anë u vendos si pikë e parë e rendit të ditës në mbledhjen e 18 gushtit në Bruksel, dhe në anën tjetër u pasua pas tri javësh me nëntë shtator nga vizitat e emisarëve Lajcak, Bon dhe Plotner këtu në Prishtinë dhe më pas në Beograd. Tash u takon atyre ta intensifikojnë përpjekjen si ndërmjetës që janë, unë jam gjithmonë i gatshëm dhe i hapur.
(Zëri i Amerikës)