Kurti: Greqia mund të jetë më afër njohjes së Kosovës

Prishtinë, 8 shtator 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur optimist se Kosova do të arrijë t’i bindë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj ta bëjnë këtë.

Në një intervistë për televizionin polak “TVP World”, Kurti ka thënë se Kosova në vitet e fundit ka bërë përparime në komunikimin dhe bashkëpunimin me vendet mosnjohëse, në veçanti me Greqinë.

Sipas tij, Greqia “mund të jetë afër njohjes së Kosovës”.

Kurti ka thënë se Kosova po punon fort në planin diplomatik për t’i bindur pesë vendet e mbetura të BE-së që ta njohin Kosovën.

Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia janë pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Greqia dhe Kosova kanë një bashkëpunim shumë më të mirë diplomatik dhe ekonomik, krahasuar me vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar në takimin joformal të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis, pak ditë më parë.

(r.m.)