Prishtinë, 20 qershor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar mbi të gjitha marrëveshjen për studimin e fizibilitetit të projektit pë ndërtimin e hekurudhës Durrës – Prishtinë, e cila u nënshkrua të hënën, në Prishtinë, në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme. Kjo hekurudhë do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë u nënshkruan 19 marrëveshje bashkëpunimi që kanë pë qëllim bashkimin e fuqive për zhvillimin e përgjithshëm të të dy shteteve.
“… në mbledhjen e sotme nënshkruam marrëveshje ndërqeveritare për arsim, drejtësi, mbrojtje, shëndetësi, energji, bujqësi, dogana, sigurime shoqërore, turizëm, rini, gjendje civile, lëvizje të lirë, transport e infrastrukturë rrugore”, ka treguar Kurti në Facebook.
Marrëvesha për hekurudhën u nënshkrua nga ministri i Infrastrukturës në Kosovë, liburn Aliu, dhe ministrja e Infrastrukturës në Shqipëri, Belinda Balluku.
Postimi i plotë i Kurtit:
Mbledhjen e tetë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë e mbajtëm në Prishtinë.
Aq sa na bashkon historia, gjuha e kombi, aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë. Bashkëpunim ky që lehtëson dhe përmirëson jetën e qytetarëve tanë dhe që rritë besimin social ndërmjet qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Me këtë qëllim, në mbledhjen e sotme nënshkruam marrëveshje ndërqeveritare për arsim, drejtësi, mbrojtje, shëndetësi, energji, bujqësi, dogana, sigurime shoqërore, turizëm, rini, gjendje civile, lëvizje të lirë, transport e infrastrukturë rrugore.
Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme. Kjo hekurudhë do t’i bashkojë edhe më fortë ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona.
Teksa qëndrojmë të përbashkuar, me marrëveshjet bilaterale që nënshkruajmë, ruajmë e avancojmë marrëdhëniet tona të afërta.
(r.m.)