Prishtinë, 11 shtator 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës bëri të ditur se z. Kurti dhe z.Escobar kanë biseduar “për rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.
“Kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për t’u angazhuar aktivisht në takimin e nivelit të lartë politik të së enjtes në Bruksel, teksa falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën”, thuhet në njoftim.
Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri Kurti, në njëpostim në platformën X.
“Kisha një bisedë telefonike me Zëvendës ndihmës Sekretarin e Departamentit të Shtetit Amerikan, Escobar. Diskutuam për rëndësinë e sigurimit të zbatimit të qetë dhe të shpejtë të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të saj. Konfirmova gatishmërinë time që të angazhohem në negociata aktive gjatë takimit të dialogut në Bruksel dhe e falënderova për mbështetjen e SHBA-së”, ka shkruar Kurti.
Had a phone call w/ @StateDept DAS Escobar. Discussed the importance of ensuring smooth & quick implementation of the Basic Agreement and its Annex. Confirmed my readiness to engage in active negotiations during the dialogue meeting in Brussels & thanked him for U.S. support.
— Albin Kurti (@albinkurti) September 11, 2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen më 14 shtator, në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si lehtësues i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Ky do të jetë takimi i parë i Kurtit e Vuçiqit, pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës. Takimi i fundit i bartësve të dialogut mes Kosovës e Serbisë ishte zhvilluar më 2 maj, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katërkomunat veriore të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe, me sugjerim të Vuçiqit.
Kosova po kërkon në vazhdimësi zbatimin e plotë të Marrëveshjes Themelore drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, e cila u pranua deklarativisht nga të dy palët në muajin shkurt, në Bruksel.
Dialogu mes Kosovës e Serbisë, i cili ishte cilësuar si dialog për çështje teknike, ka nisur në vitin 2011. Në kuadër të dialogut janë nënshkruar disa marrëveshje, shumë prej të cilave janë zbatuar pjesërisht ose nuk janëzbatuar fare, për çka dy palët e akuzojnë njëra-tjetrën.
Kosova kërkon që në fund të dialogut të arrihet një marrëveshje që do të përfshinte edhe njohjen reciproke, ndërsa Serbia e kundërshton kategorikisht mundësinë e njohjes së Kosovës, por deklarohet për një zgjidhje “kompromisi”, pa treguar se për çfarë kompromisi insiston.
(r.m.)