Prishtrinë, 19 shtator 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i informuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) se ka pasur një plan për atentat ndaj tij në vitin 2021.
“Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi. Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”, thuhet në njoftimin e Zyrës së kryeministrit Kurti të lëshuar më 19 shtator.
Aty nuk jepen hollësi të tjera, por në bazë të raportimeve të mediave në Shqipëri, njësia kundër-terrorizmit e Policisë së Kosovës ka marrë informacione nga burime të inteligjencës për plane për vrasjen e tre personave: Albin Kurti, Xhavit Haliti dhe Ismet Haxha.
Haliti, deputet i subjektit opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, ka konfirmuar për mediat lokale në Kosovë se ka pranuar informacione për kërcënime ndaj jetës së tij.
Ndërkaq, Ismet Haxha është ish-pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).
Vrasja e këtyre tri figurave ishte planifikuar me qëllim të, siç thuhet në dokumentin të cilit i referohen mediat në Shqipëri, “destabilizimit të Kosovës”.
Sipas raportimeve, Prek Kodra, shtetas i Shqipërisë, dyshohet se ka planifikuar vrasjen e tyre. Ai po ashtu, sipas dokumentit, ka qenë i dyshuar për përfshirje në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë autenticitetin e këtij dokumenti.
Ky dokument thuhet se është publikuar nga hakerët që kanë sulmuar ueb-faqet e institucioneve shqiptare në korrik dhe në shtator të këtij viti. Shqipëria ka fajësuar Iranin për sulmet kibernetike dhe ka ndërprerë raportet diplomatike me Teheranin.
(REL)