Kurti: Jam optimist për takimin e Ohrit, por nuk varet gjithçka nga unë

Prishtinë, 14 mars 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se është optimist për takimin e radhës me Serbinë, që zhvillohet më 18 mars në Ohër, por që nuk varet gjithçka nga ai.

“Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar”, ka thënë ai.

Kurti i është referuar takimit të tij të fundit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, ku palët janë pajtuar me propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve, ndonëse nuk kanë nënshkruar asnjë dokument para se të arrihet  pajtim edhe për zbatimin e saj.

Në takimin e Ohrit, Kosova dhe Serbia pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian.

Kurti ka thënë se Serbia synon të shtyjë përpara vetëm çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pret që këtë ta bëjë edhe në takimin e Ohrit.

“Le ta diskutojmë (në Ohër) planin e zbatimit. Unë e kuptoj që Serbia shtyn shumë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo është në nenin 10, njëra prej 33 marrëveshjeve. Në fakt kur kam shikuar tash së fundi, bashkë me konkluzionet që janë bërë në Bruksel, del që nga 2 korriku i vitit 2011, deri më 25 gusht të vitit 2015. Janë 39 marrëveshje gjithsej dhe Asociacioni përbën gjashtë pikat e para të një marrëveshjeje 15-pikëshe, e cila është e 16-ta prej 39-tave”, ka thënë ai.

Të hënën, Kurti ka thënë se është duke i analizuar 15 modelet evropiane që i ka ofruar Bashkimi Evropian për drejtat e pakicave.

I dërguari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se këto modele janë në përputhje me standardet evropiane.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se modeli që aktualisht aplikohet në Kosovë është modeli më i mirë i trajtimit të pakicave në Evropë.   

Asnjëra prej 15 modeleve evropiane nuk janë bërë publike, as nga Kosova e as nga Brukseli.

(r.m.)