Kurti: Javën e dytë të dhjetorit mund të ndodhë takimi me Vuçiqin

Prishtinë, 5 dhjetor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është diskutuar mundësia që në javën e dytë të dhjetorit të ketë një takim në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më 5 dhjetor, në një konferencë për media, Kurti tha se nuk ka informacione se ka kushtëzime nga dikush sa i përket mbajtjes së një takimi të tillë.

“Vetëm vlerësimi se duhet të mbahet një takim i tillë ose jo i përket ndërmjetësuesit, lehtësuesit, siç e quajnë ata veten, përkatësisht zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe emisarit të tij (Mirosllav) Lajçak. Janë ata të cilët e vlerësojnë nëse do të na i dërgojnë ftesat ose jo, e jo çfarëdo kushtëzimi i palës tjetër”, tha Kurti.

Deri më tani, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kurti është takuar dy herë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i tyre i fundit u zhvillua më 19 korrik, por palët nuk arritën ndonjë rezultat konkret.

Më herët, Bashkimi Evropian kishte thënë se synon të organizojë një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit para fundit të vitit.

Kurti po ashtu ka thënë se e përshëndet emërimin e ish-shefit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, Sir Stuart Peach, si i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.

Kuri tha vëmendja e shtuar e Mbretërisë se Bashkuar është e mirëseardhur, për shkak të rritjes së ndikimit të Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor.

“Ne kemi nevojë sa më shumë vëmendje të aleatëve dhe partnerëve perëndimorë në rajonin tonë, meqë qartazi vëmendja, investimet dhe ndikimi te fqinji ynë verior i fuqive dhe superfuqive nga lindja dhe verilindja, është rritur shumë kohëve të fundit. Ka një lloj inkurajimi në këtë dekadë të Federatës Ruse pas zhvillimeve negative në Abkhazi dhe Osetinë Jugore”, tha Kurti.

Në rolin e të dërguarit të posaçëm, Peach do të punojë me liderë të Ballkanit Perëndimor, me zyrtarë tjerë rreth rajonit dhe aleatë të Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë për të mbështetur dhe forcuar stabilitetin rajonal.

(REL)