Shkup, 25 shtator 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qeveria që e drejton ai është e përkushtuar të investojë në burime për prodhimin e energjisë së pastër.
Në forumin socio-ekologjik që u mbajt të shtunën në Shkup, Kurti tha se Qeveria e Kosovës është duke e kryer një studim fizibiliteti për investime në prodhimin e energjisë nga burime ekologjike.
“Kosova furnizohet energjinë elektrike, kryesisht nga qymyri, me burime të kufizuara të erës dhe hidrocentraleve. Hidro-energjia nuk është treguar të jetë mjaft themelore dhe ne mbështetemi në qymyr, për shembull. Në këtë rast ne duhet të bëjmë një kalim të dyfishtë. Këtë javë ne i kemi bërë gjashtë muaj në qeveri dhe, për shkak të kësaj, ne jemi ende duke e kryer një studim fizibiliteti se si të ecim përpara në mënyrën më të mirë për veten dhe rajonin”, tha Kurti, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Kurti i bëri këto komente në kohën kur Qeveria e Kosovës po diskuton me ekspertët e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) të Qeverisë së SHBA-së për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror dhe për ndërtimin e një termocentrali me gaz. MCC ka ndarë një grant prej 200 milionë dollarësh për këtë projekt. Ndërtimi i infrastrukturës për gaz natyror do t’i mundësonte Kosovës qasje në tregun e gazit natyror nga Azerbajxhani, përmes Maqedonisë së Veriut.
Energjia elektrike e prodhuar nga gazi natyror është më e pastër se energjia që prodhohet nga thëngjilli. Aktualisht, mbi 95 për qind e energjisë në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, 2,7 për qind nga burimet ujore dhe 2.3 për qind nga era dhe dielli.
(r.m.)