Prishtinë, 9 qershor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti lajm të mirë vizitën që pritet të zhvillojë të premten në Prishtinë, kancelari gjerman Olaf Scholtz, duke theksuar se kancelari do të vijë me “një lloj rifreskimi të Procesit të Berlinit”.
Ai i bëri këto komente në prag të vizitës së kancelarit Scholtz, duke theksuar sërish mospajtimin me nismën Ballkani i Hapur, takimi radhës të së cilës u mbajt të mërkurën në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kurti tha se gatishmëria dhe interesimi i Kosovës për bashkëpunim rajonal shprehet me mbështetjen për Procesin e Berlinit dhe angazhimin për tregun e përbashkët rajonal.
“Me këtë bashkëpunim ne duam të kemi barazi të palëve, të cilën e gjejmë pikërisht në Procesin e Berlinit. Ne nuk duam zëvendësim të Bashkimit Evropian me, si do që të quhet ai, qoftë kjo edhe ‘Ballkan i Hapur’. Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit i cili nuk përbëhet vetëm nga 6 shtete në përgjithësi ndërkaq Ballkani Perëndimor ende i pa integruar në BE përbëhet nga 6 shtete, me ç’rast këto nuk mund të trajtohen bashkë sepse kemi shtete të cilat nuk e kanë dënuar dhe as nuk kanë vënë sanksione ndaj invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë. Pra do të mund të themi se ka shtete në Ballkanin Perëndimor të cilët janë në anën e luftës çlirimtare të popullit të Ukrainës dhe kemi shtete si puna e fqinjit tonë verior i cili është në anën e Federatës Ruse dhe të presidentit despotik të saj”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se për të pasur Ballkan të Hapur është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës dhe të mbyllet për Federatën Ruse dhe autokracitë tjera.
“E mbështesim edhe qëndrimin amerikan se nuk mund të ketë Ballkan të Hapur të themeluar si iniciativë përderisa nuk janë të gjashtë shtetet, andaj çdo herë që mbahen mbledhje të tilla, është mirë ta shikojnë se a janë të gjashtë shtetet, të mos e mundojnë as vetën e tyre sepse kur nuk janë të gjashtë shtetet, nuk ka Ballkan të Hapur, këtë e thanë shumë qartë zyrtarët amerikanë edhe dje”, tha zoti Kurti.
Të mërkurën, Gabriel Escobar, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën “Ballkani i Hapur”, si një prej nismave për integrim ekonomik.
“Ne besojmë se që këto nisma të jenë të suksesshme duhet që të jenë të hapura për të gjitha vendet. Të gjitha nismat për integrimet ekonomike duhet të përfshijnë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në një nivel të barabartë”, tha zoti Escobar.
Kosova ka refuzuar t’i bashkohet nismës që fillimisht u njoh si “Mini-Shengeni Ballkanik”, në radhë të parë për shkak të qasjes së Serbisë e cila nuk e njeh pavarësinë e saj.
Të dyja vendet janë përfshirë që nga viti 2011 në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
(Zëri i Amerikës)