Prishtinë, 18 korrik 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se Kosova ka nisur t’ua hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, në kuadër të marrëveshjes së arritur me Bashkimin Evropian për uljen e tensioneve.
Ai i është referuar pajtueshmërisë së arritur mes kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, më 10 korrik në Bratisllavë.
“Prej javës së kaluar e kemi zvogëluar prezencën e Policisë së Kosovës për 25 për qind në tri ndërtesat komunale në veri. Tani kemi nisur t’ua hapim rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Kosova është duke e zbatuar marrëveshjen e arritur me BE-në, në Bratisllavë, për shtensionim të situatës”.
As of last week, we've reduced the presence of @Kosovo_Police by 25% in the 3 northern municipal buildings. Now we are starting to pave the way for early elections. 🇽🇰 is already implementing in good faith the arrangement with the EU/EUSR on de-escalation reached in Bratislava.
— Albin Kurti (@albinkurti) July 18, 2023
Një ditë më parë, Kurti është takuar me Lajçakun në Kretë të Greqisë, dhe kryeministri ka thënë se palët kanë diskutuar për këtë temë.
Më 11 korrik Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.
(REL)