Prishtinë, 7 nëntor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për destabilizmin e situatës në veri të vendit.
“Nuk bëhet fjalë as për targat e as për Nenad Gjuriqin, por në pyetje është vetëm refuzimi që ata po i bëjnë planit franko-gjerman. Ata tash duhet ta kamuflojnë këtë refuzim duke përdorur pjesëtarët e strukturave ilegale”, tha Kurti në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dy ditë pas largimit të përfaqësuesve serb nga institucionet e Kosovës.
Kurti tha se kjo po ndodh për shkak se Vuçiqi e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe se po i përdor pjesëtarët e strukturave ilegale në veri për ta destabilizuar Kosovën.
“… për shkak të refuzimit që ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit, dhe për këtë po i përdorin ata që ende vazhdojnë t’i dëgjojnë, pra pjesëtarë të strukturave ilegale. Serbia është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje”, tha Kurti.
“Beogradi e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe tash po bën drama për ta maskuar refuzimin”, theksoi kryeministri i Kosovës.
Kurti tha se Vuçiqi po koordinohet me Rusinë dhe Kinën, dhe po zhgënjen Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë, të shtunën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati takime të ndara me ambasadorin rus dhe atë kinez në Beograd. Pra, presidenti i Serbisë takohet dhe koordinohet me Rusinë dhe Kinën dhe gënjen e zhgënjen BE-në dhe SHBA-në”, tha ai.
Kurti u bëri thirrje serbëve në veri të vendit që të mos japin dorëheqje, ngase siç tha ai, “bojkotet nuk janë zgjidhje, institucionet nuk kanë alternativë”.
Ai theksoi se Serbia vazhdon përhapjen e lajmeve të rreme se serbët në Kosovë gjoja po kërcënohen.
“Asnjë serb në Kosovë nuk dyshon se kërcënimet e tyre po i bënë Beogradi”, theksoi ai.
Ndërsa ministri Sveçla tha se aktualisht situata në veri është e qetë dhe se janë në vazhdimësi në koordim me KFOR-in dhe EULEX-in.
Zyrtarët serbë në veri të Kosovës kanë vazhduar të hënën të paraqesin dorëheqjet e tyre nga institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe.
Dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës
Edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.
largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
Autoritetet e Serbisë e kanë mbështetur vendimin e Listës Serbe për braktisjen e institucioneve të Kosovës.
(r.m.)