Kurti kërkon zbatimin e tri marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit

Prishtinë, 28 gusht 2023 – Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se kryeministri Albin Kurti, ka kwrkuar zbatimin e tri marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në takimin e zhvilluar në kuadrin e Procesit të Berlinit, duke vënë theksin në marrëveshjet për lirinë e lëvizjes.

Kurti e ka ngritur këtë çështje të dielën në mbrëmje, gjatë darkës së shtruar nga kryeministri slloven Robert Golob, në vigjilje të Forumit të Bledit.

“Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit ku veçoi atë për lirinë e lëvizjes. Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian ndërkohë që do t’ju kërkohen viza për në Bosnje e Hercegovinë. Në këto 50 ditët e mbetura, para Samitit në Tiranë, është e rëndësishme që të fillojë zbatimi i plotë i tri marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Berlin”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Më tutje në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti ka mirëpritur thirrjet e Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob dhe të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, “për fokusim në zgjerimin e Bashkimit Evropian si dhe mundësitë për vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Kurti citohet të ketë theksuar se respektimi i të drejtave të pakicave dhe njohja reciproke e shteteve të rajonit duhet të jetë parakusht për anëtarësimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

“Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet. Ballkani Perëndimor duhet të mbështesë zgjerimin dhe vendet aspirante duhet të kryejnë reformat të cilat përshpejtojnë anëtarësimin”, citohet Kurti.

Në Forumin e Bledit po marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, përfshirë presidentin e Këshillit të Evropian, Charles Michel.

(r.m.)