Prishtinë, 23 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkon drejtësi për tre vëllezërit Bytyqi – Yllin, Agronin e Mehmetin – të cilët janë arrestuar nga forcat serbe sot 24 vjet e pastaj janë vrarë.
Trupat e tyre janë gjetën në vitin 2001, në një varrezë masive në Petrovo Sello, në Serbi, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe në Kosovë. Ekspertiza konstatoi se vëllezërit Bytyqi ata janë vrarë me plumb në kokë, nga prapa.
“Fare pak ditë pas çlirimit të Kosovës, më 23 qershor të vitit 1999, tre vëllezër shqiptarë kishin ndërmarrë një nismë shumë njerëzore: të përcjellnin një familje rome nga Prizreni drejt kufirit me Serbinë, që po shkonte drejt Kralevës. Por, gjatë këtij udhëtimi, ata të tre e kaluan paqëllimshëm kufirin, për çka u arrestuan nga policia serbe dhe u dënuan nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgosje. Kur po përfundonin dënimin, tre vëllezërit Bytyqi, Ylli, Agroni dhe Mehmeti, u dërguan në një bazë trajnimi të policisë serbe, ku u vranë me plumba pas koke dhe ua zhdukën gjurmët. Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, në një varrezë masive në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë”, shkruan Kurti në Facebook.
“Sot janë bërë 24 vite nga dita e arrestimit të tre vëllezërve Bytyqi dhe që nga atëherë, autoritetet shtetërore të Serbisë, asnjëherë nuk kanë treguar vullnet dhe gatishmëri për hetime të drejta dhe të plota të këtij rasti. Vëllezërit Bytyqi janë vrarë dhe ky krim është fshehur nga po ata që kanë kryer vrasje dhe fshehur krime lufte dhe kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë. Pavarësisht dëshmive dhe dëshmitarëve që ndër vite janë shfaqur pjesërisht edhe në publik dhe përmes të cilëve është e mundur të zbardhet plotësisht ky krim, ende nuk ka drejtësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi”, shkruan më tutje Kurti.
Ai kujton se Yll, Agron e Mehmet Bytyqi kishin lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jetonin në New York, para se të ktheheshin në Kosovë, në prill të vitit 1999, për t’iu bashkuar njësitit të vullnetarëve shqiptaro-amerikanë “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ylli, Agroni dhe Mehmeti u vranë nga shteti i Serbisë vetëm sepse kishin qenë ushtarë të UÇK-së dhe sepse ishin qytetarë amerikanë. Në tetor të vitit 2019 dhe në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, ka miratuar dy rezoluta, me anë të të cilave, ShBA-ja i ka kërkuar veprime konkrete Serbisë dhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, për të nxjerrë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë krim”, shkruan Kurti.
“Ashtu siç e ruajmë nderimin me lavdi për luftëtarët e lirisë Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqin, do të vazhdojmë të angazhohemi për të arritur drejtësi për ta, deri në fund!”, thekson Kurti në dedikimin e tij për tre vëllezërit Bytyqi.
(r.m.)