Kurti kërkon ndihmën e SHBA-së që përgjegjësit për sulmet në veri të nxirren para drejtësisë

Bruksel, 4 dhjetor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të mërkurën në Bruksel me Ndihmës Sekretarin të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James C. O’Brien.

Zyra e Kryeministrit Kurti bëri të ditur se në këtë takim është diskutur për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale e çështjet me interes të përbashkët, me theks sulmin terrorist i 29 nëntorit ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës në pjesën veriore të vendit.

“Kryeministri ndau me z.O’Brien detajet e sulmit të fundit terrorist mbi infrastrukturën kritike, përkatësisht në kanalin e Ibër-Lepencit si dhe reagimin e institucioneve shtetërore për sanimin e dëmit dhe sigurimin e furnizimit me shërbime esenciale. Ai tha se sulmi i 29 nëntorit ishte sulm mbi popullsinë civile meqë përmes tij u rrezikua që më shumë se gjysma e popullatës së vendit të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë”, tuhet në njoftim.

Duke folur për hetimet lidhur me sulmin, kryeministri Kurti ka treguar se në mesin e dëshmive e provave të mbledhura në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe.

Kurti ka folur për sulmin terrorist në Zubin Potok në kontekst të sulmeve të tjera të kryera në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka thënë se ky është sulmi i dytë më i madh ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit të grupit paramilitar serb në Banjskë, dhe sulmi më i madh ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.

Në njoftim bëhet e ditur se kryeministri Kurti ka theksuar rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit në Kosovë të Millan Radoiçiqit, udhëheqësit të grupit paramilitar që e ka kryer sulmin terrorist në Basnjkë. Ai ka thënë se Radojçiqn dhe grupi i tij përbëjnë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit. për sa kohë Radojçiqi endet i lirë në Serbi dhe e ka gëzon mbështetjen e Presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe të aparatit shtetëror atje.

Në njoftim theksohet se Kryeministri Kurti e ka falënderuar z. O’Brien dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e Kosovës në hetimin e sulmit në kanalin e Ibër Lepencit dhe për sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë.

(r.m.)