Kurti kërkon që ndaj serbëve të mos ushtrohet presion gjatë votimit

Prishtinë, 11 tetor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të mos i nënshtrohen presionit dhe frikësimit gjatë votimit për zgjedhjet lokale.

“Duke qenë në prag të zgjedhjeve lokale, është e rëndësishme që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike, ku secili qytetar i Republikës voton mbi bazën e bindjeve personale”, tha Kurti gjatë një takimi që zhvilloi me përfaqësuesin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin.

Kosova mban zgjedhjet lokale të dielën, më 17 tetor. Qytetarët me të drejtë vote do të mund t’i zgjedhin kryetarët e rinj të 38 komunave dhe përfaqësuesit e asambleve komunale.

Në të kaluarën, misionet e Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve kanë thënë se qytetarët serbë, që nuk e kanë përkrahur Listën Serbe, janë frikësuar.

Të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë aktualisht udhëhiqen nga partia Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se të gjithë kandidatët që nuk i përkasin Listës Serbe, nuk do ta kenë përkrahjen e shtetit të tij.

Një ditë më parë, ai u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të bashkohen dhe të dalin në numër sa më të madh në zgjedhjet e 17 tetorit.

(REL)