Kurti kërkon të mos politizohet rasti i vrasjes së policit në Serbi

Prishtinë, 18 korrik 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bëri thirrje që rasti i vrasjes së policit në Serbi të mos politizohet.

Kurti ka thënë se është në dorën e institucioneve kompetente të Kosovës që të grumbullojnë informacione dhe të bëjnë vlerësimin profesional të rastit.

“Autoritetet tona kompetente –  Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia – do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale, se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë Kurti.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me rastin, përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.

Autoritetet e Serbisë i akuzuan institucionet e Kosovës për vrasjen e një zyrtari të policisë serbe dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, e ka cilësuar vrasjen si akt terrorist të “strukturave shqiptare”. Ai ka thënë se prokuroria do ta trajtojë rastin si të tillë.

“Ky s’mund të jetë një aksident. Ky është një akt i qartë terrorist që vjen nga Kosova, nga strukturat shqiptare. Prokuroria për krim të organizuar do ta trajtojë rastin si akt terrorist sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka deklaruar Daçiq për Televizionin shtetëror të Serbisë.

Në Lloznicë, qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnjën e Hercegovinën, në orët e para të ditës së enjtes, është vrarë një polic serb dhe është plagosur rëndë një tjetër. Sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur një pasaportë e lëshuar nga autoritetet e Kosovës me emrin e Artan Hajrizit dhe një dokument gjerman i identifikimit.

Pronari i pasaportës, Artan Hajrizi, ka thënë se ai gjendet në Gjermani dhe se i vëllai i tij, Fatoni, kishte qenë në banesën e tij para dy ditësh, dhe ia kishte vjedhur pasaportën. Ai ka thënë se lidhur me këtë çështje ka dhënë deklaratë në policinë gjermane në Hanover.

(r.m.)