Kurti: Kosova do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës

Prishtinë, 24 prill 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përshëndetur vendimin e Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që të miratojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Kurti ka thënë se Kosova do të jetë “vlerë e shtuar” për Këshillin e Evropës.

“Kosova kalon me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti e ka falënderuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për punën e pandërprerë për anëtarësim në këtë organizatë të rëndësishme evropiane.

“Falënderoj ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministren Gërvalla, zëvendësministrin Ahmeti dhe ekipet e tyre për punën e pandërprerë, si dhe partnerët tanë e shtetet anëtare, për përkrahjen e pakursyer”, ka shkruar Kurti.

(r.m.)