Prishtinë, 6 shkurt 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti e ka bërë këtë njoftim në një postim në Twitter, pas drekës së punës me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak, në Prishtinë, të hënën.
Ai ka thënë se Kosova e konsideron propozimin si bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe si një “platformë solide për të ecur përpara”.
“Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti.
Good exchange with EU special envoy @MiroslavLajcak over a working lunch in Prishtina. We do accept the EU proposal for normalization of relations between Kosova and Serbia, and consider it a good basis for further discussion and a solid platform for moving forward. pic.twitter.com/gKrymnQAmF
— Albin Kurti (@albinkurti) February 6, 2023
Kurti ka thënë se ende ka pyetje të rëndësishme lidhur me propozimin, të cilat do t’i adresojë në Bruksel.
Certain questions on international guarantees, implementation mechanisms and time sequencing will be addressed soon during the Brussels talks ahead. Democratic concepts of European orientation make us hopeful.
— Albin Kurti (@albinkurti) February 6, 2023
“Pyetje të rëndësishme mbi garancën ndërkombëtare, mekanizmat zbatues dhe periudhën kohore do të adresohen së shpejti në bisedimet në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit evropian na japin shpresë”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Kurti, ka thënë ai ka ardhur në Kosovë për të diskutuar për propozimin e BE-së dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
I pyetur për çështjen e Asociacionit, ai ka thënë se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes palëve duhet të zbatohen.
Mirosllav Lajçak udhëtoi nga Prishtina në Beograd, ku pritet të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
(r.m.)