Kurti: Kosova nuk mund të ofrojë garanci për ish drejtuesit e UÇK-së

Prishtinë, 7 maj 2021 – Kryeministri Albin Kurti tha sot se Kosova nuk mund të ofrojë garanci për mbrojtje në liri për ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare, që ndodhen në paraburgim, sepse nuk llogaritet si vend i tretë nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ai tha se për këtë arsye, në vitin 2015, Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar amendamentin 24 të Kushtetutës së Kosovës, sponsor i të cilit ishte qeveria e atëhershme e Kosovës.

“Problemi me çështjen e garancisë është se Kosova nuk është shtet i tretë. Në gushtin e vitit 2015, atëherë kur u zhvillua diskutimi në Kuvendin e Kosovës, argumenti kryesor se pse duhet aprovohej amandamenti 24 që e votuan deputetët atëbotë e që ne e kundërshtuam, ka qenë se nëse nuk e bëjmë ne do të jetë gjykatë ndërkombëtare e OKB-së. Ne e kemi ditur që nuk është ashtu. Pra, ajo ka qenë më shumë një lloj frikësimi i atyre që ishin sponsorë, qeveria e atëhershme ishte sponsor dhe ne bëmë kritikën tonë”, tha Kurti.

Ai theksoi  se qysh atëherë ishte e qartë që Gjykata Speciale nuk do të ishte krejtësisht jashtë Kosovës.

“Siç e kam thënë shpeshherë, një këmbë e ka jashtë dhe një brenda. Pra, brenda ngrehinës tënde juridike kushtetuese ti e ke futur Gjykatën Speciale, prandaj nuk je më vend i tretë edhe unë besoj që i gjithë keqkuptimi ka të bëjë me këtë dhe tani jemi në një situatë kaq të pafavorshme ku Kosovës, me vetë vendimin e datës 3 gusht 2015, i pamundësohet që të konsiderohet si shtet i tretë. i cili do të mund të jepte garanci”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se në procesin juridik në Gjykatën Speciale nuk është i përfshirë shteti i Kosovës dhe theksoi se përfshirja do të kishte pasoja edhe për shtetin e Kosovës.

“Tash aty ka një proces juridik në të cilën ata që janë në burg i kanë mbrojtësit e tyre ligjorë, të cilët e udhëheqin mbrojtjen. Pra, nuk është shteti në gjyq, andaj nuk më takon mua që të marr kësi hapash. Do të ishte gabim edhe për shtetin e Kosovës edhe për vetë luftëtarët e UÇK-së që i kemi në burg”, tha ai.

Kryeministri Kurti i bëri këto në vazhdën e debatit që po zhvillohet këto ditë në Kosovë lidhur me ofrimin  e garancive për lirimin nga paraburgimi të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Debati u nxit nga vendimi i Apeli i Gjykatës Speciale që të refuzojë kërkesat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit që të lirohen nga paraburgimi dhe të mbrohen në gjendje të lirë. Një pjesë e opozitës, sidomos Partia Demokratike e Kosovës, e akuzoi Qeverinë e  Kosovës dhe Kryeministrin Kurti se nuk po ofron garanci për lirim nga paraburgimi të ish-drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ligji për themelimin e Gjykatës Speciale mundëson që një shtet i tretë të ofrojë garanci dhe “të monitorojë një të dyshuar”.

Gjatë debatit të ditëve të fundit pati spekulime se disa vende mike të Kosovës kanë shprehur gatishmëri që të ofrojnë garanci të tilla për Thaçin e të tjetër. Në këtë kontekst u përmend edhe Kroacia, por udhëheqja e këtij shteti e mohoi këtë. 

(r.m.)