Prishtinë, 13 dhjetor 2021 – Evropa tash e sa javë është përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë.
Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor si në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Të dy nga këto shtete kanë shpallur krizë energjetike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kriza energjetike, ashtu si në shtetet tjera, po troket edhe në Kosovë. Ai tha se këtë çështje e kanë adresuar edhe në mbledhjen e fundit të Qeverisë.
Kurti tha se Qeveria, bashkë me Korporatën Energjetike të Kosovës, KEDS-in dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), po punojnë që të gjejnë zgjidhjen më të mirë, në mënyrë që të ketë edhe furnizim të qëndrueshme, por edhe të zbutet kriza energjetike.
“Konsumi është shumë më i madh edhe për shkak të stinës së dimrit edhe për shkak se mënyra jonë edhe e punës edhe e banimit edhe jetesës është e organizuar përmes ngrohjes nga termocentralet, por që edhe energjia elektrike është e lirë dhe konsumi është i kollajshëm”, tha Kurti.
Ai tha se çmimet e energjisë në bursë janë shumëfishuar dhe se Kosova nuk mund të mbajë çmimin siç është aktualisht.
Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE) dhe KEDS-i kanë kërkuar nga qytetarët që ta kursejnë rrymën, në mënyrë që të mos vijë deri te mungesat.
Konsumatorët e Kosovës paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë. Krahasuar me vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut, Serbia e Shqipëria, rryma në Kosovë është më e lirë për 3 deri në 4 centë.
(REL)