Prishtinë, 9 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti të martën ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Gërliq Radman.
Qeveria e Kosovës njoftoi se në takim është diskutuar edhe për procesin e dialogut, me theks në takimin e fundit të nivelit të lartë, që u mbajt javën e kaluar, në Bruksel. Kurti e ka njoftuar ministrin kroat se në këtë takim e ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazë, i cili bazohet në modelin kroat të trajtimit të minoriteteve.
“Në takim u diskutua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për Marrëveshjen Bazike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për Planin e Zbatimit të saj, sipas dakordimit në Bruksel dhe në Ohër. Kryeministri e njoftoi ministrin Radman se në takimin e fundit të nivelit të lartë, që u mbajt javën e kaluar, e ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazike, bazuar në modelin kroat të trajtimit të pakicave kombëtare. Në lidhje me këtë, ai tha se Kosova e sheh Kroacinë si tregim suksesi dhe si model që duhet ndjekur për sa i takon të arriturave ekonomike e demokratike, por edhe për sa i përket respektimit të të drejtave të minoriteteve“, thuhet në njoftim.
“Kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Radman me zhvillimet aktuale, punën e qeverisë dhe arritjet kryesore të viteve të fundit, progres ky që po vlerësohet edhe nga raportet e organizarave kredible ndërkombëtare, të cilat vit pas viti po e nxjerrin Kosovën si lidere në mesin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, sidomos në fushën e demokracisë, lirive dhe të drejtave, sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Ai e ka falënderuar Kroacinë për ndihmën dhe mbështetjen e pareshtur për Kosovën që nga koha e Federatës së ish- Jugosllavisë, shpallja e pavarësisë dhe deri më sot.
Ndërkaq, ministri Radman e ka uruar Kosovën dhe popullin e saj për liberalizimin e vizave dhe për kalimin me sukses të fazës së parë të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, procese këto janë mbështetur fuqishëm edhe nga Kroacia. Ai ka thënë se Kroacia do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë kandidimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
(r.m.)