Kurti: Marrëdhëniet me Serbinë normalizohen me njohjen e ndërsjellë

Shkup, 1 mars 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se normalizimi i plotë i raporteve me Serbinë mund të bëhet vetëm me njohjen e ndërsjellë.

Ai ka thënë se kjo është thënë edhe nga Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Kosova është vend normal demokratik, por duhet të pranojmë se marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale. Pra, duhet të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Normalizimi mund të bëhet vetëm me njohje të ndërsjellë si pjesë qendrore. Është thënë nga presidenti Biden, nga sekretari Blinken, nga kancelari Scholz. Ne po mundohemi me zell të arrijmë këtë normalizim”, ka thënë Kurti në Forumin Ekonomik në Shkup.

Ai ka shtuar se tekstin e Planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve e kanë pranuar të hënën në Bruksel si Kosova ashtu edhe Serbia.

Kurti ka folur për rëndësinë që ka Maqedonia e Veriut për Kosovën dhe po ashtu takimin e radhës që pritet ta ketë me presidentin e Serbisë, Alekandar Vuçiq në Maqedoni të Veriut.

“Mos të harrojmë se më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishim të rëndësishme për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, që të na ftoj në Maqedoni për takimin e radhës të nivelit të lartë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka folur edhe për tri marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, vitin e kaluar.

“Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që në Kuvend ratifikoi marrëveshjet nga Procesi i Berlinit. Do t’u bëja apel të gjithë liderëve të rajonit që sa më shpejt të ratifikojnë marrëveshjet dhe të fillojmë t’i implementojmë ato, pasi janë në përfitim të gjtihë qytetarëve”, ka thënë ai.

(r.m.)