Kurti: Marrëveshja e arritur në Ohër nuk mund të zbatohet njëanshëm

Prishtinë, 29 mars 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se më 4 prill në Bruksel do të mbahet takimi i kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, ku do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër.

“Më 4 prill në Bruksel ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Ka marrëveshje, ekziston marrëveshja është e qartë publike për të gjithë dhe kemi nevojë për zbatim të saktë dhe të shpejtë të saj prandaj edhe do të organizohet takim ndërmjet kryengocaitorëve ku nga na e Kosovës do të marrë pjesë zv.kryeministri Besnik Bislimi”, tha Kurti.

Duke sqaruar fjalën “urgjencë” të përdorur nga BE-ja për krijimin e Asociacionit, kurti tha se marrëveshja duhet të zbatohet e tëra dhe se nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm.

“Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra, nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka jo, ashtu qysh nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes e as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes. Marrëveshjen nuk duhet ta copëtojmë duke marrë pjesët e preferuara. Fjala që përdoret urgjencë është pikërisht tek fjalia që ka të bëjë me të pagjeturit përkatësisht të zhdukurit me dhunë”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se deklaratat politike, të kujdo qofshin ato, kanë qëllim të ndihmojnë procesin.

“Nuk keni nevojë të vendosni asnjë prononcim publik politik të askujt mbi tekstin e marrëveshjes bazë apo të ankesit të zbatimit”, theksoi Kurti.

(r.m.)