Prishtinë, 17 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Marrëveshja Themelore e arritur në Bruksel si edhe Aneksi i saj i dakorduar në Ohër, duhet të zbatohen shpejt dhe pa kushtëzime.
Kurti e ka theksuar këtë të mërkurën, në Prishtinë, në takim me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer wieland, ku është diskutuar edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
“Kryeministri tha se Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksi i saj i 18 marsit në Ohër, duhet të zbatohen shpejt, në tërësi dhe pa kushtëzime”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Kurti.
Në njoftim bëhet e ditur se kryeministri Kurti e ka falënderuar z. Wieland për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe për afirmimin e shtetit të Kosovës.
“Duke theksuar përkushtimin në prioritetet e qeverisë për punë dhe drejtësi, kryeministri përmendi rezultatet dhe progresin në dy vitet e qeverisjes, e të cilat janë evidentuar, përveç raporteve tjera ndërkombëtare edhe nga vetë raporti i Parlamentit Evropian për Kosovën, që u publikua së fundmi”, thuhet në njoftim.
Zëvendëspresidenti Wieland ka vlerësuar progresin e dukshëm të Kosovës, duke e krahasuar me rajonin. Ai ka thënë se ky progres nuk kalon pa u vërejtur.
Në takim u bisedua edhe për raportet fqinjësore, për bashkëpunimin dhe për integrimin ekonomik të vendeve të rajonit.
(r.m.)