Kurti: Marrëveshja e Uashingtonit ishte tentim për një marrëveshje të shpejtë

Vjenë, 22 nëntor 2021 – Kryeministri  i Kosovës, Albin Kurti, e ka komentuar Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës e Serbisë, e cila ishte  nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, me presidentin Donald Trump.

Kurti, gjatë debatit “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore?”, në Vjenë, ka thënë se kjo marrëveshje “më shumë ishte tentim për një marrëveshje të shpejtë se sa ndihmë për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë”.

“… ishte shumë më shumë lëvizje taktike e administratës paraprake para zgjedhjeve në SHBA dhe ka pasur synim të ndërtojë diçka të qëndrueshme për të shtruar të ardhmen e sigurt”, ka thënë Kurti.

“Unë këtë e shoh më shumë si një tentim për një marrëveshje të shpejtë që do ta mbante imazhin ndërkombëtar dhe politikat vendore të ish-presidentit se sa në të vërtetë të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë që të ecin përpara”, ka shtuar ai.

Kurti e ka vlerësuar pozitive pikën e fundit të Marrëveshjes së Uashingtonit, atë për njohjen e Kosovës nga Izraeli dhe hapja e  ambasadës së Kosovës në Jerusalem, e cila është implementuar në fillim të këtij viti.

Kryeministri Kurti ka folur edhe për marrëdhëniet aktuale mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai  ka thënë se marrëdhëniet me administratën e Presidentit Biden janë shumë më të mira se me atë të ish-presidentit Trump.

“Situata tani është shumë ndryshe. Për më mirë, natyrisht” është shprehur ai.

“Presidenti Biden është ndër liderët më progresivë në botë. Nëse e shohim programin e tij, është socio-demokratik për çka kemi nevojë të gjithë, jo vetëm SHBA-të, por të gjitha vendet. Unë kisha mundësinë që në pallatin Elize, në darkën që thirrur nga presidenti Macron të takohem me zëvendpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris. Ajo e kishte një fjalim të jashtëzakonshëm në këtë forum”, ka thënë Kurti.

(r.m.)