Prishtinë, 26 janar 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se faktorët ndërkombëtare po insistojnë në formimin e Asociacionit me shumicë serbe në Kosovë dhe ka ritheksuar se formimi i asociacionit të baza etnike është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës
“Po insistohet në një asociacion njëetnik. Ne duhet të diskutojmë, mirëpo kushtetutshmëria dhe pavarësia e Kosovës nuk durojnë asociacion njëetnik. Kjo është shumë e qartë edhe për ata që nuk janë juristë. Unë jam për respektimin e të drejtave të pakicave, mirëpo asociacionet e komunave mbi baza etnike nuk duron kjo kushtetutë”, ka thënë ai.
“Ata që kërkojnë asociacion njëetnik kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës”, ka shtuar Kurtid he ka theksuar se për normalizim të marrëdhënieve midis kosovës e Serbisë duhet të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë.
Kryeministri Kurti e ka cilësuar të parpranueshëm vendosjen e theksit të dialogut mes Kosovës e Serbisë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai ka thënë se asnjëra nga 33 marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të dialogut të Brukselit nuk duhet të ketë prioritet hierarkik.
“Procesi negociator do të duhej të na shpiente përpara. Unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve, por po e ritheksoj se asnjëra nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierarkik”, ka thënë ai.
Kurti ka pranuar se faktori ndërkombëtar e ka vënë theksin pikërisht të marrëveshja për Asociacionin, por ka theksuar se theksi mbi këtë marrëveshje është vënë edhe për shkak se nuk e ka kaluar “testin” e Gjykatës Kushtetuese.
“Ka insistim nga faktori ndërkombëtar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe […} të theksohet më shumë. Por, ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, në njëfarë mënyre, ajo është marrëveshje e theksuar, në kuptimin juridik e kushtetues, për shkak se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.
Kurti ka folur edhe për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
“Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej. Kur e patëm marrë atë, më datën 9 shtator, ne patëm thënë që është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme, është një kornizë e platformë e cila na mundëson që të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje. Ajo çfarë ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje, e cila ka prioritet ndaj një marrëveshjeje tjetër”, ka thënë Kurti.
Ai ka përsëritur se marrëveshja finale midis Kosovës e Serbisë duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.
“Marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, sepse vetëm asisoj bëhet normalizimi i plotë i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, të mërkurën mbrëma kanë pasur një darkëpune me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Në një postim në Twitter, Lajçak ka thënë se në takim është arritur pajtim për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut.
“U ktheva në Kosovë sot për t’i vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bisnik Bislimin, për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu u dakorduam që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të zbatohen plotësisht”, ka shkruar Lajçak.
(r.m.)