Prishtinë, 1 korrik 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se vendimi i qeverisë mbi përdorimin e targave të makinave dhe dokumenteve personale të lëshuara nga autoritetet serbe, ndihmon vendosjen e ligjshmërisë në Kosovë.
Ai i bëri këto komente pas reagimeve që nxiti vendimi i qeverisë së tij që makinave të cilat kanë targa me shkurtesat e qyteteve të Kosovës e që janë lëshuar nga autoritetet serbe, t’u mundësohet regjistrimi me targa të Kosovës, RKS, deri më 30 shtator të këtij viti.
“Ne në mënyrë shumë gjeneroze kemi krijuar një hapësirë dy mujore për të bërë një konvertim të tillë, i cili i ndihmon ligjshmërisë dhe rregullsisë te ne”, tha zoti Kurti.
Qeveria vendosi të mërkurën po ashtu që personat të cilët hyjnë në Kosovë me dokumente personale serbe, të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve të tilla. Një masë e tillë zbatohet nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës që nga viti 2008 kur ajo shpalli pavarësinë, të cilën Serbia e mbështetur nga Moska vazhdon ta kundërshtojë.
Vendimi nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili në mbrëmjen e së mërkurës u takua me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirsollav Lajçak, tha se “dialogu është rrëfim bosh”, ndërsa akuzoi vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e vendimeve të Prishtinës.
Kryeministri Kurti, tha se Serbia po bën gabim me paralajmërimet për tërheqje nga bisedimet, ndërsa tha se Kosova është e gatshme për takimet e planifikuara që të mbahen gjatë këitj muaji në Bruksel.
Zoti Lajçak, i cili është vënë në përpjekje për të organizuar një takim politik të nivelit më të lartë, tha të enjten në Beograd se vendimet e qeverisë së Kosovës kanë krijuar një situatë të re në marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve.
“Edhe zoti Lajçak ka qenë, vazhdimisht është i njoftuar me veprimet tona. Unë e di që ekziston një plan për takime në muajin korrik edhe të kryenegociatorëve por ndoshta edhe më shumë se aq, por ta shohim se si e sa do të mund të përgatiten në Bruksel për këtë. Ne jemi të gatshëm, jemi të interesuar për marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, të qëndrueshme, me njohjen reciproke në qendër”, tha ai.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh që nga viti 2011 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Të dyja vendet skurse edhe katër shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, tha të premten se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mbështetja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane do të jenë përparësi gjatë kryesimit të Këshillit të Evropës nga Çekia e cila nga sot pason kryesimin gjashtëmuajor të Francës.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)