Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë për të analizuar situatën e sigurisë në veri

Prishtinë, 25 shtator 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka thirrur për sonte (e shtunë) mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Kjo mbledhje është thirrur pas tensioneve të krijuara në veri të vendit nga grupe serbësh të nxitura e të mbështetura nga Beogradi zyrtar. Të shtunën në mëngjes, në Zubin Potok është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa në Qendrën e Regjistrimit Civil në Zveçan janë hedhur dy bomba, të cilat,për fat të mirë nuk kanë shpërthyer.

Të shtunën pasdite, në një konferencë për media, Kurti ka thënë se Serbia po provokon konflikt serioz që rrezikon të marrë përmasa rajonale.

“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje e me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.

Kurti ka thënë se njësitë speciale të Policisë së Kosovës do të qëndrojnë në në pikat kufitare në veri derisa të shmanget rreziku nga aktet kriminale të individëve dhe grupeve të nxitura nga Beogradi.

Kryeministri i Kosovës ka bërë të ditur se të dy palët janë ftuar të takohen në Bruksel për të diskutuar lidhur me situatën në veri, por, sipas tij, kjo ftesë është refuzuar nga Beogradi.

“Serbia nuk është e interesuar për fqinjësi të mirë. Serbia nuk është e interesuar për dialog”, ka thënë Kurti.

(r.m.)