Kurti: Me Serbinë kemi dallime rreth marrëveshjes për të pagjeturit

Prishtinë, 20 korrik 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Prishtina ka dallime konceptuale me Beogradin zyrtar lidhur me marrëveshjen për të pagjeturit.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti e pranoi se Kosova dhe Serbia kanë përafruar qëndrimet sa i përket marrëveshjes për të pagjeturit për të cilën po diskutohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Brukseli, por tha se Kosova insiston që të përdoret emërtimi “persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës”.

“Beogradi zyrtar insiston të quhen vetëm persona të pagjetur, ne insistojmë të theksohet se kjo është bërë me forcë, është bërë me dhunë. Sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore, por ne kemi familjarë që e dinë se personi i caktuar i uniformuar ose jo ua mori djalin ose vajzën. Pra, bëhet fjalë për rrëmbime, të cilët janë bërë me dhunë. Insistimi ynë është që të theksohet edhe kjo”, tha Kurti.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, vazhdojnë të jenë edhe 1,639 persona, kryesisht shqiptarë.

Kurti foli edhe për mungesën e takimeve në nivel të lartë në kuadër të dialogut. Ai tha se gjatë kësaj jave ishte paraparë që të takohej me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por sipas tij, Serbia ka kërkuar që të shtyhet takimi.

“Arsyeja pse nuk ka takime nuk do të duhej të kërkohej në Prishtinë, por pikërisht në Beograd. Besoj që faktori kryesor pse ata po i ikin bisedimeve për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse bisedimet nuk janë për Kosovën janë për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është për shkak se po e vonojnë konstituimin e Kuvendit, po e vonojnë formimin e Qeverisë sepse nuk duan t’i vënë sanksione Rusisë. Pra, ky është leximi im i situatës aktuale”, tha Kurti.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë në kuadër të dialogut, dhe dy takimet kanë përfunduar pa marrëveshje konkrete. Takimi i fundit i tyre ka qenë më 19 korrik të vitit 2021.

“Ata që janë në listën e zezë amerikane kanë interes destabilizim në veri”

Kurti u pyet edhe për paralajmërimet nga Serbia se mund të ketë destabilizim në komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, më 1 gusht, kur është afati i fundit, sipas një vendimi të Qeverisë, që të gjitha targat me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – të hiqen nga përdorimi dhe veturat të regjistrohen me targa RKS (Republika e Kosovës). Ai tha se personat që duan destabilizim janë ata që nuk e duan sundimin e ligjit.

“Ata të cilët janë në listën e zezë të Thesarit amerikan, ata të cilët kanë fletëarreste në Kosovë, ata të cilët kanë punuar dhe punojnë për struktura ilegale, natyrisht që kanë interes destabilizimin. Problemi është kur interesi i tyre gjen mbështetje politike në Beograd dhe unë besoj që faktorët ndërkombëtarë do të duhej të mbajnë shënim me shkronja të theksuara për këtë mbështetje politike që iu vjen këtyre kriminelëve që e duan destabilizimin e Kosovës sepse e luftojnë shtetin e Kosovës”, tha Kurti.

Kurti duket se iu referua nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili ka urdhëarrest në Kosovë dhe gjendet në listën e zezë amerikane për përfshirje në korrupsion. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë një interviste dhënë për Radion Evropa e Lirë ditë më parë, e cilësoi Radoiçiqin si udhëheqës i kontrabandistëve që sulmojnë policinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës po ashtu fajësoi Serbinë për pengesa në zbatimin e udhërrëfyesit të marrëveshjes për energjinë në veri të Kosovës, duke paralajmëruar se Qeveria nuk do të subvencionojë energjinë e shpenzuar në veri të vendit gjatë këtij dimri, nëse nuk zbatohet udhërrëfyesi.

Qe nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, më 1999, qytetarët e veriut janë furnizuar rregullisht me energji elektrike, por nuk e kanë paguar atë.

Rrjedhimisht, për rrymën e shpenzuar në veri, qytetarët e komunave të tjera të Kosovës kanë paguar direkt nga xhepi i tyre nga viti 1999 deri më 2017.

Gjatë kësaj periudhe, faturat e tyre kanë qenë për 3.5 për qind më shtrenjtë.

Nga 2017-ta, kjo përgjegjësi e pagesës ka kaluar te Qeveria e Kosovës.

(REL)