Ohër, 2 korrik 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova refuzon pjesëmarrjen në nismën e Mini-Shengenit duke shtuar se, rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian.
Ai këto komente i bëri gjatë një fjalimi në konferencën dyditore ndërkombëtare “Prespa Forum”, që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Mini-shengeni është një nismë e përbashkët e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.
Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë.
Megjithatë, në marrëveshjen për normalizimin ekonomik me Serbinë, të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 4 shtator, 2020, në Uashington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të mini-Shengenit.
Kryeministri Kurti tha se kjo iniciativë nuk ofron vizion për rajonin.
Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij ka insistuar për zbatimin e Mini-Shengenit duke nënvizuar se kjo nismë nuk do të thotë alternativë për BE-në , por përpjekje për t’i dhënë më shumë njerëzve të rajonit duke përdorur potencialet e të gjithëve.
Duke folur për procesin integrues të vendeve të rajonit, Kurti tha se Kosovan ndan zhgënjimin me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për shkak të mosnisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE.
Ai tha se bllokimi i procesit të integrimit për këto dy vende dhe mosofrimi i liberalizimit të vizave për Kosovën paraqet mesazh dekurajues për rajonin.
Sipas Kurtit, Bashkimit Evropian i mungon uniteti.
Në takimin e fundit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së në Luksemburg, presidenca e atëhershme portugeze ka konstatuar se nuk ekziston konsensus i nevojshëm për të miratuar kornizat negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si kusht për të hapur negociatat.
Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011.
Tre vjet më parë, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.
Franca është një ndër shtetet më skeptike sa i takon heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.
(REL)