Mynih, 19 shkurt 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Aleanca Veri Atlantike (NATO) ishte dhe mbetet jetike për sigurinë e Kosovës, prej vitit 1999.
Në një shkrim në Twitter, Kurti ka shkruar se NATO është një pjesë jetike e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes së Kosovës.
““Nga ndalimi i gjenocidit në ’99 deri tek mbështetja e sigurisë së Kosovës, @NATO është një pjesë jetike e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes sonë. Siç diskutova me @JFC_Napoli Komandant Munsch, ne jemi gati të kthejmë. Edhe këtë vit Kosova do të jetë edhe një herë pjesëmarrëse dhe vend pritës i Defender Europe 23”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri Kurti e ka bërë këtë deklaratë pas takimit me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta NATO-s në Napoli, Admiralin amerikan stuart B. Munsch.
From stopping genocide in '99 to supporting Kosova's security, @NATO is a vital part of our past, present & future. As I discussed w/ @JFC_Naples Commander Munsch, we're ready to give back. This year Kosova will once again be a participant & host country of Defender Europe 23. pic.twitter.com/SZzWWHkhKR
— Albin Kurti (@albinkurti) February 19, 2023
Kurti, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, është takuar të shtunën edhe me Senatorin amerikan Bob Menendez, Kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë.
Kabineti i Kurtit bëri të ditur se në takim është diskutuar “për marrëdhëniet bilaterale, partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe fuqizimin e mëtejmë të tij”.
“Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin për rezultatet e deritanishme të qeverisë, me theks te sundimi i ligjit. Po ashtu e falënderoi senatorin Menendez për mbështetjen aktive të tij ndaj Kosovës në Senatin amerikan”, thuhet në njoftim.
“Folën edhe për procesin e dialogut, raportin me Serbinë dhe propozimin evropian, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Menendez për qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konstruktivitetin e treguar përgjatë tërë procesit’, thuhet në njoftimin e kabinetit të Kurtit.
Kryeministri Kurti është takuar të shtunën në Mynih edhe me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, dhe me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Kabineti i Kurtit ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për propozimin evropian për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhëninieve midis dy vendeve dhe për takimin e radhës të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të thirrur për datën 27 shkurt nga Bashkimi Evropian.
Për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është biseduar edhe në takimin e Kurtit me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kryeministri Kurti ka zhvilluar takime edhe me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, me zëvendëskryeministrin e ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antionio Tajani, dhe me kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson.
Në këto takime, përveç tjerash, është diskutuar edhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës e në Bashkimin Evropian dhe për integrimin e Kosovës në organizatat tjera ndërkombëtare.
Kurti është takuar në Mynih edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock.
Zyra e kryeministrit bëri të ditur se “luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit, përkushtimi ndaj sundimit të ligjit dhe angazhimi i institucioneve të rendit të Republikës së Kosovës, ishin temat kryesore të diskutimit”.
“Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Stock për sukseset e shënuara përballë grupeve kriminale dhe krimit të organizuar përgjatë dy viteve të fundit dhe për bashkëpunimin frytdhënës me shtete dhe organizata partnere në luftimin e krimit të organizuar trans-nacional”, thuhet më tutje në njoftim.
‘Duke theksuar se nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa sundim të ligjit, kryeministri tha se Kosova është e përkushtuar për shtet ligjor dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social’, thuhet në fund të njoftimit.
(r.m.)