Kurti: Ne duam marrëdhënie normale me Serbinë, por për këtë duhet të ndryshojë Serbia

Uashington, 19 maj 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar edhe një herë se ai angazhohet për dialog që do të prodhojë marrëveshje përfundimtare midis Kosovës e Serbisë dhe jo për dialog joproduktiv.

“Ne dëshirojmë që të ketë normalizim (midis Kosovës e Serbisë). Dua dialog për marrëveshje, jo dialog për dialog”, ka thënë Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Në të kaluarën, për një dekadë, kemi pasur një dialog në të cilin Kosova bënte koncesione në pritje të njohjes nga Serbia, që do të vinte në fund. Dhe ai fund nuk ndodhi. Tash kemi një zhvendosje të çështjes nga, le të themi, procesi i stërzgjatur në kohë, tek hapësira e një marrëveshjeje në qendër të së cilës është njohja reciproke”, ka thënë ai.

Kurti nuk është pajtuar me vlerësimet se dialogu ka bërë hapa prapa prej se ai është zgjedhur kryeministër i Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm, konstruktiv, të përkushtuar e kreativë. Kemi dhënë propozimet tona për deklaratë të paqes, për mossulmim të njëri-tjetrit, pastaj për reciprocitet të të drejtave të komuniteteve, mirëpo janë refuzuar nga Serbia, e cila nuk e ka dhënë asnjë ide”, është shprehur ai.

Kurti ka thënë se është Serbia ajo që duhet të ndryshojë për të arritur një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve.

“Pa dyshim që neve na duhen marrëdhënie normale me Serbinë, mirëpo për këtë duhet të ndryshojë Serbia. Kosova është në rregull, e orientuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, NATO-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia. Pra, ne jemi në rregull. Ata që nuk janë në rregull do të duhet të ndryshojnë dhe ne në këtë insistojmë’, ka theksuar ai.

Duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti e ka përjashtuar mundësinë e formimit të çfarëdo organizimi mbi baza etnike.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë. Ajo ka konstatuar që 23 nene të Kushtetutës, praktikisht shkelen dhe mund të ketë asociacion të komunave, por jo mbi baza etnike”, ka theksuar ai.

Kurti ka treguar se në takimin e tij me këshilltarin për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jacob Sullivan, ka kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe baza ushtarake amerikane në Bondstell të shndërrohet në bazë ushtarake të përhershme.

“Ne kërkuam që të ndihmohet Kosova për programin e partneritetit për paqe dhe gjithashtu kërkuam që baza ushtarake amerikane e cila ndodhet në Bondsteel, në pjesën lindore të Kosovës, ta ngrisë statusin e saj në një bazë të përhershme”, ka thënë Kurti.

(r.m.)